‘HBO’ ka publikuar së fundmi “House of the Dragon”, një serial, ndodhitë e të cilit zhvillohen 200 vjet përpara se të vizitonim Westerosin në serialin shumë të njohur për të gjithë, “Game of Thrones”. “House of the Dragon” vjen si një paraprijës ambicioz i një prej serialeve më të njohura të të gjitha kohërave dhe ndoshta, një lloj korrigjimi për t’u rikthyer në binarë ose për t’u ulur në fronin e programeve televizive.
Megjithatë, një nga serialet e shumëpritura të vitit, “House of the Dragon”, ka marrë shumë kritika menjëherë pas premierës për shkak të mosparalajmërimit para episodit të parë dramatik. Paraprijësi i “Game of Thrones” pati një numër rekord shikuesish ndërkombëtarë kur u shfaq javën e kaluar, por mori kritika në mediat sociale për përfshirjen e një skene të lindjes pa asnjë paralajmërim paraprak.
Në episodin e transmetuar në ‘HBO Max’, Mbreti Viserys, i luajtur nga Paddy Considine, urdhëron një prerje cezariane për gruan e tij Aemma Aryn, të luajtur nga Sian Brooke, ndërsa ajo është e vetëdijshme, por si pasojë e operacionit vdes edhe ajo edhe foshnja. Edhe pse regjisori Miguel Sapochnik u tha gazetarëve se u konsultua me shumë gra përpara se të vendoste ta përfshinte skenën, disa organizata humanitare besojnë se duhet të ishte shtuar një paralajmërim për skenën përpara episodit.
Pas kësaj, shikuesit hynë në rrjetet sociale për të paralajmëruar të tjerët për skenën e rëndë. Jen Coates, drejtore e shoqatës bamirëse ‘Sands’, ka thënë për ‘BBC’ se sa e rëndësishme ishte që serialet, si “House of the Dragon”, t’i ndërgjegjësonin njerëzit për atë që mund të shfaqej. Ajo u shpreh:
Unë mendoj se është mjaft traumatike për këdo. Me 13 foshnja që vdesin çdo ditë në Mbretërinë e Bashkuar, situata prek drejtpërdrejt një komunitet të madh njerëzish.