Historia tragjike e familjes italiane që krijoi një nga markat më të njohura në botë, një biznes multi-milioner, ishte një nga filmat që ju bë më shumë reklamë në vitin që lamë pas. Në Top Albania Radio u njohëm me historinë famëkeqe në një episod të podcastit “HistoGri” të Eno Popi-it në verë të 2021. Aq e çuditshme dhe e mistershme qé ajo saqë kur morrëm vesh se një prej regjisorëve më të njohur botëror po bënte një film për të, e kotë të themi që eksitimi u bë i madh, e mezi prisnim datën që ky film të dilte në kinema (me shpresën e madhe që do shfaqej edhe në sallat shqiptare). Dëshira u shtua edhe më shumë kur pak e nga pak zbuluam se kush do të ishin protagonistët e këtij filmi. Nga fitues të çmimit Oscar, tek ata që për pak sa se morrën atë çmim në kohën kur shumë u zhgënjyen për humbjen e tyre në ceremoninë e ajkës së Hollywood-it. Paralelisht me to, filmi pati një fushatë agresive marketingu e cila e ktheu atë në një nga filmat më të shumëpritur të sezonit.
Të shumtë shkuan në sallat e kinemave, dhe besoj se janë të shumtë ata që si unë, dolën prej filmit (disa edhe pa pritur fundit) të zhgënjyer në kulm. Filmi i Scott është një opera buffa, një nga ato eksperienca që nuk di çfarë emri ti vësh. Mbase e kishin fajin pritshmëritë e larta që producentët ngritën, ose mbase jo. Filmi ishte thjesht i dobët, i gjatë, i lodhshëm, i padisiplinuar.
“Nuk e dija që u martova me një përbindësh”- i ngashërehet Patrizia Reggiani trashëgimtarit të familjes
“Jo” – i thotë ai – “U martove me një Gucci”.
Reggiani interpretohet nga Lady Gaga, ndërsa Maurizzio Gucci nga Adam Driver. Njësoj si tek telenovelat e famshme amerikane, meksikane, argjentinase apo turke, si “Dynasty” e Ryan Murphy-t, interpretimi dhe dialogjet në film janë një farsë. Ndryshimi i vetëm është se ky film bazohet në një histori të vërtetë, tradhëtie, vrasjeje! Fatkeqsisht, Scott bie poshtë e më poshtë edhe krahasuar me “All the Money In the World” (2017). Ai ose ka një lajthitje artistike ose nuk ka qënë prezent fare kur filmi xhirohej.
Lady Gaga, Adam Driver, Al Pacino, Jeremy Irons, Jared Leto, Salma Hayek; kush nuk do të paguante për të parë një film me një ansambël të tillë. E kush do të mendonte se një film me kaq shumë aktorë të talentuar, do të ishte një dështim total. Mungesa e koherencës, kimisë, e kthen “House of Gucci” dhe 158 minutat e tij në orë të gjata lëngimi. Tom Ford pasi pa filmin (në të cilin personazhi i tij shfaqet në disa skena të shkurtra drejt fundit, duke qënë se atij i faturohet shpëtimi i shtëpisë së modës nga falimentimi) tha se:
Mendova se do të shikoja një dramë tragjike, ashtu siç ishte historia e familjes së tyre. Ishte në fakt një komedi, dhe jo korrekte sa i përket depiktimit të personazheve.
Aktorët duket sikur po luajnë në filma të ndryshëm. Askush nuk u thotë atyre që jeni në të njëjtin film. Gaga është e guximshme dhe plot furi, edhe kur ndez një cigare në këpucët e Reggianit që u martua me Gucci-in në 1972. Ndërsa Driver, i cili për herë të dytë luan në një film të Scott mbas “The Last Duel” (2021), ka nuanca të një karakteri kompleks, disi i nënshtruar. Nga aktorët, Leto, Pacino dhe Gaga flasin me theks italian, Driver dhe Irons jo, Hayek është, hmm, vetja. Ama një titër në fillim të filmit do i bënte nder, diçka e tipit “Asnjë italian nuk ishte i përfshirë në realizimin e këtij filmi”.
Interpretimi i tyre teatral, përzier me dialogje të përcipta, janë ato që e kthejnë filmin në një nga zhgënjimet më të mëdha të 2021.
Patrizia ambicioze e takon Maurizion në erën e Milanos së diskove. Sapo dëgjon mbiemrin e tij, ajo nuk do t’i ndahet më deri në ditën kur, mbasi ai largohet prej saj, ajo do të porosisë vrasjen e tij. Filmi është bazuar në librin e 2001 me të njëjtin titull të Sara Gay Forden. Ky libër eksploronte gjërë diferencën e prejardhjes së Reggianit, nga klasa ponëtore, shpërfilljennga babai i Maurizios që për pak i prishi asaj planin, si edhe ambicien që zgjoi ajo tek njeriu që fillimisht do të linte emrin e familjes dhe gjithçka ajo përfaqësonte. Ndërsa në film çdo gjë është skematike, duke e lodhur situatën edhe më shumë.
Është e vështirë të njohësh personazhet në “House of Gucci”, të kuptosh motivet dhe ndjesitë tyre. Një arsye mund të jetë ngaqë ato shurdhohen nga këngë pop (Eurythmics, David Bowie, Donna Summer, Blondie) të cilat mbulojnë jo pak momente të filmit, pa asnjë-farë kuptimi. Më shumë se film artistik të duket sikur po shikon një skeç të ‘Saturday Night Live’. Këtë e beson akoma më shumë kur në skenë hyn një interpretuese [shumë e keqe] e Anna Wintour.
Nuk janë të paktë filmat për të cilët mund të thuash mos harxho kohën, por në këtë rast të vjen shumë keq ta thuash këtë, por është pamundur të mos ta thuash.
Në gjuhën e filmit, “House of Gucci” është një pjatë pastash të ziera më shumë seç duhet dhe me salcë domatesh të prishura.