Art & Kulturë Celebrities Film & Tv

“House of Dragons” i mirë, i keq dhe i shëmtuar njëkohësisht. Kritikë

Dragonjtë e HBO janë kthyer këto muaj të nxehtë të dielave për një sezon të dytë dy vite nga i pari. Jemi duke folur për versionin e dekoloruar dhe shumë të kushtueshëm frymëzuar nga [suksesi] i “Game of Thrones”; “House of Dragons” parathënia e historisë rikthehet me dragonj të përmasave dhe ngjyrave të ndryshme, beteja fizike dhe verbale të luftës për pushtet në një kohë e vend imagjinar.

Sezoni i parë, mbase për shkak të pritshmërive të larta, nuk arriti dot të përmbushte shpresat e fansave të GOT për të parë qoftë edhe pak nga ajo që i kish lidhur pas ekranit të vogël si pak gjëra vitet e fundit. Mes shumë të pakënaqurve gjeje edhe syresh që e kishin pëlqyer, por në përgjithësi “House of Dragons” është një serial tejet i panevojshëm i cili as nuk i afrohet, megjithë përpjekjes, magjisë së pararendësit.

Të ballafaquar me kritikat që morrën për sezonin e parë, krijuesit Ryan Condal dhe George R.R. Martin (Autorët e librave të “Game of Thrones” dhe “Fire and Ice”) janë përpjekjur të ‘korrigjojnë’ gabimet e tyre. Ky sezon ka filozofinë e “more is more”, më shumë dragonj, vdekje groteske, brutalitet, konflikte dhe konfuzion. Më shumë kthesa në skenar që të lë në pritje për diçka interesante që [mund] të ndodhë.

Një përçapje që mesa kemi parë deri më tani (Episodi i 6 doli këtë javë) ka fonksionuar (më në fund ja dolën të kuptonin se çfarë duhet të bënin me gjithë ato dragonj). Logjika dhe arsyetimi janë flakur nga dritarja për ti lënë hapësirë ilaritetit dhe surprizave pa kontekst mjaft që ato të jenë të dhunshme. Linja kryesore e historisë – beteja për fronin e shpatave – është ‘harruar’ për aq shumë ngjarje paralele se ke të vështirë ti mbash në stivë në tru.

Targaryens-at e tmerrshëm para dy vitesh i lamë duke u jargavitur për atë karrige. Aegon (Tom Glynn-Carney), djali i mbretit të ndjerë dhe Alicent Hightower (Olivio Cooke), mendon se të jesh mbret do të thotë të luash me  lodrat që pushteti të jep, përkundër këshillave të këshilltarit të tij, Otto (Rhys Ifans). Vëllai i tij psikopat Aemond (Ewan Mitchell) mezi pret t’i zërë vendin. Nga ana tjetër, gjysëm motra e Aegon, Rhaenyra (Emma D’Arcy) mundohet që nga ishulli ku jeton të marrë atë që [ajo mendon se] i takon dhe ju rrëmbye pa të drejtë në sezonin e parë – fronin. Mbështetur nga bashkëshorti (dhe xhaxhai) Daemon (Matt Smith), krushqit Velaryons (Eve Best dhe Steve Toussaint) dhe fëmijët e saj bastardë (një fakt që e dinë të gjithë, por që bëjnë sikur s’e dinë). Veç tyre janë edhe një qerre me personazhe që mund t’i mbani ose jo mend e për shkak të kësaj, për sa kohë nuk i mbani mend ka një arsye, ndaj nuk po i kthehem përshkrimeve. Ajo që përsonazhet e përmendur e të papërmendur i bashkon është zëmërimi dhe një lufte pa lidhje ose pragu i një të tille. Skenaristët (dhe departamenti i marketingut) shesin konfliktin e jeshilëve kundër të zinjve, ku jeshilët janë Aegon dhe të tijët, të zinjtë Rhaenyra dhe të sajët, kush është në mes përcëllohet nga dragonjtë flakëhedhësdhe jo vetëm.

Edhe pse ke parë më shumë se 2/3 e sezonit (6 episode nga 8) e ke të vështirë të kuptosh shumëçka, Kush po lufton? Ku? Pse? Kush është besnik i kujt? Sa djem ka Alicent? A është Cooke vërtet dy vjet më e madhe se aktori që po luan të birin? Nëse betejat e këtij sezoni janë më të bukura, me koreografi më fluide dhe kënde xhirimi më interesante, të ndriçuara shumë më mirë, aktrimi ka shkuar më keq. Një prej aktorëve më të mirë të gjeneratës së tij, Smith është vërtet i çuar dëm. Është e lehtë të jesh i zemëruar më këtë serial. Skenaristët duket sikur zgjedhin me kast këndvështrimin më jo-tërheqës për të ndjekur. Çdo gjë që ka potencial humbet në rreshta. Dhe kur kaq shumë kohë, energji e para investohen në një serial si ky pritshmëria nga ata që e bëjnë dhe ata që e shohin është e lartë.

Sa keq që “House of Dragons” nuk mund të krahasohet as me ditët më të keqija të “Game Of Thrones”.