Lifestyle Travel

Hoteli më i mirë në botë!

TripAdvisor jep çdo vit çmimet e veta për të gjitha hotelet sipas kategorive dhe shteteve. Hotelet më të mira në platformë nuk janë domosdoshmërisht më të shtrenjtët. Nëse jeni duke kërkuar për një hotel që ka gjithçka që dëshironi si shërbim i shkëlqyer apo dhoma të rehatshme, do ta gjeni në një nga këto vende të vlerësuara me çmime.

Çmimi “Best of the Best Choice” nga udhëtarët nderon nivelin më të lartë të përsosmërisë në udhëtim. Shpërblehet për ata që marrin një numër të lartë vlerësimesh dhe opinionesh shumë pozitive nga komuniteti Tripadvisor gjatë një periudhe 12-mujore. “Nga 8 milionë listimet tona, më pak se 1% e arrijnë këtë moment historik”-thuhet në faqen e internetit të platformës.

Në krye të hoteleve më të mirë në botë është Hoteli “Colline de France” i vendosur në rajonin Gramado të Brazilit, pranë Porto Alegre dhe drejt kufirit me Uruguain. “Hotel Colline de France ndodhet në një mjedis të mrekullueshëm, ku do të gjeni një kombinim të elegancës dhe komoditetit. Dhomat janë luksoze me shtretër të mëdhenj dhe pajisje L’Occitane, ndërsa Suita Imperial është edhe më e këndshme. Ju mund të pushoni në pishinë të nxehtë, spa, sauna dhe hamam, ose të stërviteni në palestër. Do t’ju pëlqejë muzika live me piano, gjatë mëngjesit dhe ka verë të gazuar falas. Dizajni i mrekullueshëm dhe atmosfera e ngrohtë e hotelit e bëjnë atë një zgjedhje unike për një arratisje elegante, por të rehatshme”-përshkruhet në TripAdvisor. Çmimi për natë varion në varësi të stinës dhe dhomave pasi mund ta gjeni nga 200 deri në gati 1000 euro nata.