Art & Kulturë Botë e Çuditshme

‘Horror’ në shfaqjen e operas në Gjermani, 18 njerëz kërkuan ndihmë mjekësore pas skenave eksplicite!

Për shkak të operës “Sancta”, e cila u shfaq në Shtutgart, 18 vizitorë kërkuan ndihmë mjekësore. Ata deklaruan se ishin të sëmurë për shkak të skenave eksplicite që po shikonin.

Një rast ka ndodhur para fillimit të operas dhe në tre raste, një ambulancë është thirrur në vendin e shfaqjes. Pavarësisht kësaj, shikuesit e operas dukej se e shijuan performancën dhe duartrokitën më pas.

Kjo opera përmban skena seksi, plagosje, gjak të vërtetë dhe të rremë, etj. “Sancta” nga koreografi austriak Florentine Holzinger bazohet në operën e diskutueshme ekspresioniste të viteve 1920 “Sancta Susanna” nga Paul Hindemith, e cila shqyrtoi marrëdhëniet midis beqarisë dhe epshit në krishterim. Sebastian Ebling, një zëdhënës i Operas Shtetërore të Shtutgartit u shpreh:

Vizitorët ndjenë të përziera ose marramendje dhe iu dha ndihma e parë. Disave iu ra të fikët pas shikimit të operas.

Ai gjithashtu rekomandoi që audienca t’i lexojë me kujdes paralajmërimet në mënyrë që të dinë se çfarë të presin. Organizatorët paralajmëruan njerëzit se kjo opera është shumë traumatike.

Përmes shfaqjes pothuajse tre orëshe, zëdhënësi tha se kishte dy skena, që zgjasin vetëm disa minuta, që “mund të jenë të vështira për t’u parë”. Një skenë u përshkrua se kishte një “copë të vogël mishi” të prerë nga pjesa e pasme e njërit prej interpretuesve dhe një tjetër ku dy interpretues të tjerë u “shpuan së bashku” për të lidhur litarë dhe për t’i ngritur lart. Ata gjithashtu theksuan disa efekte të dritës, të cilat mund të ishin përgjegjëse për disa incidente.

Holzinger është i njohur për shfaqjet që përfshijnë lakuriqësi, abuzim dhe akrobaci që referojnë vepra të letërsisë klasike dhe feminizmit. Kryepeshkopi i Salzburgut Franz Lackner deklaroi se kjo opera është ofenduese për besimtarët.

Është një parodi e Meshës së Shenjtë, e cila është zemra e besimit dhe jo vetëm në kuptimin katolik.