Një vajzë 13-vjeçare po lufton për jetën e saj dhe gjashtë adoleshentë janë arrestuar për tentativë vrasje pas një sulmi të tmerrshëm. Viktima u gjet e plagosur rëndë në orën 06:50 të mëngjesit të sotëm pranë rrugës kryesore A63 në periferi të Hull, pasi raportohet se është goditur me thikë. Njerëzit e ndodhur aty u përpoqën ta ndihmonin dhe t’i jepnin ndihmën e parë derisa mbërritën shërbimet e urgjencës. Policia shkoi në vendngjarje dhe zbuloi se ajo kishte pësuar plagë me thikë në qafë, gjoks, bark dhe shpinë.
Policia e Humberside tha se ajo u dërgua në spital për ‘trajtim të lëndimeve të rrezikshme për jetën’. Oficerët kontrolluan zonën dhe gjetën gjashtë adoleshentë, katër djem të moshës 14, 15, 16 dhe 17 vjeç dhe dy vajza, 14 dhe 15 vjeçe në një zonë të pyllëzuar aty pranë. Të gjithë u arrestuan nën dyshimin për tentativë vrasje.
Që të gjashtë mbeten në paraburgim. Detektivi Simon Vickers, i cili drejton hetimin, tha se viktima 13-vjeçare ishte në një gjendje kritike. Ai tha: “Unë e kuptoj se ky incident me të drejtë do të shkaktojë shqetësime në mesin e komunitetit dhe do të doja të ofroj garancitë e mia se si pjesë e hetimit tonë fillestar, ne kemi gjashtë individë në paraburgim, të cilët të gjithë po merren në pyetje nga detektivët. Në këtë kohë, ne besojmë se sulmuesit e njihnin viktimën dhe hetimet janë duke vazhduar për të përcaktuar rrethanat rreth incidentit.” Vajza mbetet në spital në gjendje kritike dhe familja e saj po mbështetet nga oficerët në këtë moment të vështirë. Ngjarja ndodhi afër urës Humber dhe një zonë pyjore pranë Ferriby High Road është mbyllur nga policia.