Bota

Hong Kongu goditet nga reshjet më të mëdha në rreth 140 vjet!

Hong Kongu është përmbytur pas reshjeve më të mëdha të shiut në rreth 140 vitet e fundit, me ujërat që kanë vërshuar në rrugë të ndryshme e në disa stacione të metrove, madje duke çuar në mbylljen e detyruar të disa shkollave.

Në qendrën e teknologjisë kineze në Shenzhen, meteorologët regjistruan sasinë më të madhe të reshjeve të shiut që kur nisi regjistrimi i tyre në vitin 1952.

Sipas vlerësimeve të ekspertëve, ndryshimet klimatike kanë bërë që të intensifikohen stuhitë tropikale, duke shkaktuar shira dhe erëra më të fuqishme e që po shkaktojnë dëme të mëdha.

Reshjet e shiut në Hong Kong nisën dy ditë më parë dhe autoritetet thanë se regjistruan 158.1 milimetra reshje në orë, që është sasia më e lartë që kur nisën regjistrimet në vitin 1884.

Autoritetet lëshuan paralajmërimin për vërshime ndërsa ekipet e shpëtimit u përfshinë në operacione të shpëtimit në disa zona.

Banorët që jetojnë në afërsi të lumenjve duhet të jenë të vetëdijshëm për kushtet e motit dhe duhet ta shqyrtojnë mundësinë e evakuimit të tyre për të shmangur çdo rrezik.

Po ashtu, zyrtarët kanë paralajmëruar edhe për mundësinë e rrëshqitjes së dheut. Gjatë një konference për media, sekretari i Hong Kongut, Eric Chan, tha se reshje shiu si këto “ndodhin një herë në një shekull” duke shtuar se kushtet ekstreme të motit do të vazhdojnë deri në mesnatë, sipas orës lokale.

Autoritetet spitalore bëjnë të ditur se të paktën 110 persona kanë kërkuar ndihmë ndërsa katër vetë nuk janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe kjo për shkak të lëndimeve të pësuara si pasojë e motit të keq.

Hong Kongu u godit nga një tajfun i fuqishëm në vitin 2018 e sipas autoriteteve, vlera e dëmeve materiale ishte të paktën 470 milion dollarë.