Aktorë të Hollivudit do t’i bashkohen një greve të skenaristëve, duke nisur atë që paraqet mbylljen më të madhe në industrinë e filmit në mbi 60 vjet. Nga gjigantët e transmetimit, Sindikata e Aktorëve të Ekranit (SAG) po kërkon që të bien dakord për një ndarje më të drejtë të fitimeve e për kushte më të mira pune.
Rreth 160 mijë aktorë sot pritet të bëhen pjesë e grevës, duke ndalur shumicën dërrmuese të prodhimeve të filmave e serialeve televizivë në SHBA.
Një natë më parë kur u shpall greva, emra si Cillian Murphy, Matt Damon dhe Emily Blunt lanë në gjysmë premierën e filmit të shumëpritur të regjisorit Christopher Nolan, “Openheimer”, në Londër.
Greva e SAG fillon në mesnatë sipas orës lokale të Los Anxhelosit dhe që në Shqipëri shënon 09:00 e mëngjesit. Priten protesta para selisë qendrore të Netflix-it në Kaliforni, si dhe të Paramount-it, Warner Bros-it e Disney-t.
SAG, si dhe Federata Amerikane e Artistëve të Televizionit e Radios apo AFTRA, gjithashtu kërkojnë garanci që inteligjenca artificiale (AI) nuk do të përdoret për të zëvendësuar aktorët.
Grupi që përfaqëson studiot, Aleanca e Producentëve të Filmit e Televizionit ose AMPTP, e kritikoi vendimin. Në reagimin e AMPTP-së thuhet:
Greva sigurisht që nuk është rezultati që ne shpresonim pasi studiot nuk mund të funksionojnë pa aktorët që realizojnë filmat. Për fat të keq, sindikata ka zgjedhur një rrugë që do të çojë në vështirësi financiare për mijëra njerëz të panumërt që varen nga industria.
Për të adresuar shqetësimet lidhur me përdorimin e AI-së, AMPTP-ja tha se ra dakord për një “propozim novator” që do të mbronte aktorët e do të kërkonte pëlqimin e tyre kur të përdoren kopjet dixhitale ose në rast ndryshimesh.
Por, drejtori ekzekutiv kombëtar i SAG dhe kryenegociatori, Duncan Crabtree-Ireland tha se oferta nuk është e pranueshme.
Nëse mendoni se është propozim novator, ju sugjeroj ta mendoni përsëri!
Një tjetër kërkesë e SAG për gjigantët e transmetimit është që aktorët të marrin paga bazë dhe bonuse më të mëdha për ritransmetimin e filmave e serialeve ku kanë luajtur.
Greva përfshin qindra mijëra aktorë që marrin shumë më pak para’ se kolegët e tyre më të famshëm. Asaj do t’i shtohet një listë projektesh që tashmë janë mbyllur ose janë bllokuar për shkak të grevës së mëparshme të skenaristëve.
Për filmat në proces, kjo do të thotë se një pjesë e madhe e punës do të bëhet e pamundur. Edhe në rastet kur xhirimet kanë përfunduar, aktorët nuk do të jenë të gatshëm për rixhirime e të tjera angazhime.
Yjet më të mëdhenj të Hollivudit nuk do të marrin pjesë në ceremonitë për promovimin e filmave të rinj. Eventet e mëdha për ndarjen e çmimeve si Emmy-s e Comic-con, mund të shtyhen apo të kufizohen.
Festivalet e filmit në Toronto e Venecia do të vazhdojnë, por aktorët e SAG nuk do të mund të marrin pjesë, si në vitet e kaluara.
Në orët e para pas njoftimit, disa aktorë të lidhur me SAG shkruan në Instagram për të shprehur mbështetjen e tyre për grevën, si ylli i Better Call Saul, Bob Odenkirk, Cynthia Nixon e Sex and the City apo veterania e Hollivudit, Jamie Lee Curtis.