Aktualitet

Holanda e interesuar për modelin e marrëveshjes Itali-Shqipëri për emigrantët!

“Unë besoj se politikat italiane për emigrantët janë në përputhje me atë që u ra dakord nga liderët e BE-së disa vite më parë”. Kjo u deklarua sot nga ministri i Jashtëm holandez, Caspar Veldkamp pas një takimi me homologun italian, Antonio Tajani në Farnesina.

Ne nuk synojmë t’i bashkohemi marrëveshjes specifike Itali-Shqipëri, por e shikojmë atë me interes të madh sepse gjithashtu duam të eksplorojmë ide të reja dhe mundësi vendesh të reja për të kontrolluar flukset migratore. Italia i bën të gjitha këto brenda kornizës së ligjit europian dhe brenda konventës për të drejtat e njeriut. Ne duhet të krijojmë risi e të mendojmë edhe jashtë kësaj.

Më herët, Tajani theksoi se “operacioni i transferimit të emigrantëve të paligjshëm në Shqipëri po shkakton diskutime në opozitë, por më duket se kjo marrëveshje mes Italisë dhe Shqipërisë u mor si shembull edhe nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen”. Antonio Tajani, shtoi:

Në letrën drejtuar komisionerëve, ajo tha se duhet kuptuar si një shembull pozitiv për të trajtuar çështjen e emigrantëve. Kujtojmë se të dy qendrat do të administrohen nga autoritetet italiane. Pra, është një investim për të luftuar emigracionin e paligjshëm, trafikantët e qenieve njerëzore dhe për të dërguar në vendet e origjinës të gjithë ata që nuk do të kenë të drejtë të futen në Itali. Kjo është një zgjedhje konkrete dhe e guximshme, që mbledh konsensusin në Bashkimin Europian.

Kryediplomati i Romës, foli në emisionin No Stop News në Rtl 102.5, teksa u ndal edhe te qendra e paraburgimit të emigrantëve në Shqipëri.

Një anije italiane me grupin e parë të emigrantëve, sot në mëngjes arriti në Portin e Shëngjinit duke shënuar fillimin e zbatimit të një plani të diskutueshëm për të përpunuar mijëra kërkesa për strehim jashtë Italisë. Qeveria italiane ka ngritur dy qendra pritëse në vendin tonë, në të parën marrëveshje të këtij lloji, sipas të cilës, një vend i Bashkimit Europian i dërgon emigrantët në një vend që nuk është pjesë e Bllokut, në përpjekje për të penguar emigracionin e paligjshëm.

Anija “Libra” e marinës ushtarake italiane u ankorua në portin e Shëngjinit me 16 emigrantë meshkuj, të cilët u shpëtuan në det të dielën. 10 prej tyre janë nga Bangladeshi dhe 6 nga Egjipti, vende që konsiderohen “të sigurta” nga Italia. Procedura përfshin kontrollin e tyre në Shëngjin dhe më pas dërgimin në Gjadër po të Lezhës, ku do të qëndrojnë derisa t’iu përpunohen kërkesat. Pasi kjo të kryhet, ose do të dërgohen në Itali, nëse përgjigja është pozitive, ose do të kthehen në shtëpi, në rast se kërkesa iu refuzohet.

Mjediset në Shëngjin dhe në Gjadër mbikëqyren nga personeli italian. Numri i përgjithshëm i emigrantëve të pranishëm në një kohë në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë vetë sipas marrëveshjes. Italia ka thënë se vetëm burrat “jo të cënueshëm” që vijnë nga vendet e klasifikuara si “të sigurta” do të dërgohen në Shqipëri.