Holanda pritet që të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme dhe kjo në mënyrë që të kufizojë numrin e azilkërkuesve që hyjnë në këtë shtet, duke e bërë atë “sa më pak tërheqës që është e mundur” për emigrantët. Ministrja për Azilin, Marjolein Faber, e cila përfaqëson krahun e të djathtës, vuri në dukje se një masë e tillë i mundëson qeverisë holandeze që të pezullojë “shumë shpejt” disa pjesë të ligjeve për azilin.
Sipas zyrtares, Holanda do të ketë rregulloret më të “ashpra” në Europë për azil dhe emigrim e do të zbatojë kontrolle të rrepta kufitare. Faber planifikon që të kufizojë bashkimet familjare, si dhe të rrisë numrin e personave që dëbohen nga shteti nëse kanë kryer shkelje. Po ashtu refuzimin e azilit e zvogëlimin e mundësive për të apeluar këtë vendim nëpër gjykata.
Qeveria holandeze synon të dërgojë një kërkesë në Komisionin Europian, që të mund të lejohet të devijojë prej politikave të Bashkimit Europian për azilin dhe emigracionin.
Eshtë koha për ndryshim drastik të kursit, tha Faber. Ne jemi duke marrë masa për ta bërë Holandën sa më pak tërheqëse që është e mundur për azilkërkuesit.
Vlerësohet se në Holandë shkonë rreth 40 mijë azilkërkues çdo vit. Kritikët argumentojnë se një numër kaq i madh i azilkërkuesve e ka përkeqësuar krizën e lidhur me hapësirat e banimit. Qeveria holandeze mund të shfrytëzojë një dekret mbretëror për të zbatuar masën e gjendjes së jashtëzakonshme në rast të ndonjë krize e kështu i mundësohet të marrë vendime pa miratimin në Parlament.
Kështu ka ndodhur gjatë pandemisë së koronavirusit. Megjithatë, një vendim i tillë duhet të arsyetohet ligjërisht dhe ekspertët ligjorë shprehen se kanë dilema nëse kjo shifër e azilkërkuesve që ka mbetur e qëndrueshme ndër vite është e mjaftueshme për të shpallur vendin në krizë. Partitë opozitare kanë reaguar ashpër, duke e quajtur planin e qeverisë si “jo demokratik”.