Aktualitet

Hodhën molotovë drejt Kryeministrisë në protestën e opozitës, nën hetim tetë persona!

Tetë persona janë vënë nën hetim nga policia pasi hodhën molotovë e flakadanë drejt kryeministrisë ditën e djeshme, në protestën e organizuar nga opozita.

Bëhet fjalë për protestuesit R. D., 20 vjeç, M. P., 22 vjeç, S. L., 69 vjeç, B. Xh., 33 vjeç, A. L., 38 vjeç, B. Xh., 34 vjeç, D. P., 62 vjeç, dhe një 17-vjeçar, për ë cilët sipas njoftimit të policisë, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë.

Këta shtetas dyshohet se gjatë protestës, kanë ushtruar veprime të dhunshme, kanë hedhur flakadanë dhe molotovë, në drejtim të kryeministrisë, thuhet më tej në njoftim.

Zjarri i cili dogji derën kryesore të godinës, vijoi për disa minuta, ndërsa u shua nga policët, të cilët u rrezikuan.

Fillimisht përfaqësuesit politikë të Partisë Demokratike dhe mbështetësit e tyre u mblodhën në selinë blu, për të marshuar më pas drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, Kryeministrisë dhe Bashkisë së Tiranës, ku edhe aty u hodhën molotovë.

Njoftimi i policisë:

“Gjithashtu, këta specialistë, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera për protestën e zhvilluar mbrëmjen e djeshme, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit R. D., 20 vjeç, M. P., 22 vjeç, S. L., 69 vjeç, B. Xh., 33 vjeç, A. L., 38 vjeç, B. Xh., 34 vjeç, D. P., 62 vjeç, dhe një 17-vjeçar. Këta shtetas dyshohet se gjatë protestës, kanë ushtruar veprime të dhunshme, kanë hedhur flakadanë dhe molotovë, në drejtim të kryeministrisë”