1 Maji, i quajtur edhe Dita e Punëtorëve ose Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve është dita e cila përkujton betejat dhe arritjet e bëra nga punëtorët e po ashtu lëvizjet punëtore. Ajo festohet në shumë vende ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e në Kanada, një festë e ngjashme, e njohur si Dita e Punës, kremtohet të hënën e parë të muajit shtator.
Dita e Punës i ka rrënjët në një periudhë demonstratash të fuqishme për të drejtat e punëtorëve të fabrikave gjatë Revolucionit Industrial në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të udhëhequr nga Shoqata e Urdhrit të Kalorësve Amerikanë të Punës (Knights of Labor).
Në vitin 1866, u miratua një ligj i cili caktonte që dita e punës do të ishte 8-orëshe. Ligji hyri në fuqi vetëm vitin e ardhshëm, më 1 maj 1867, ditën në të cilën u organizua një demonstratë e rëndësishme, me të paktën dhjetë mijë pjesëmarrës.
Lajmi shkoi edhe në Europë, ku në ditët e para të muajit shtator të vitit 1864, në kryeqytetin britanik Londër lindi “Internacionalja e Parë” ose Shoqata Ndërkombëtare e Punëtorëve, shumë pranë lëvizjeve të para socialiste e marksiste të kohës.
Sipas enciklopedisë “Britannica”, në Bashkimin Sovjetik udhëheqësit e përqafuan festën e re, duke besuar se ajo do të inkurajonte punëtorët në Europë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të bashkoheshin kundër kapitalizmit. Kjo ditë u bë një festë e rëndësishme në Bashkimin Sovjetik e gjithashtu në vendet e bllokut lindor, me parada të profilit të lartë, kryesuar nga funksionarë të qeverisë dhe Partisë Komuniste, duke nderuar punëtorët e po ashtu duke shfaqur fuqinë ushtarake.
Në Gjermani, Dita e Punës u bë festë zyrtare në vitin 1933 pas ngritjes së Partisë Naziste. Për ironi, Gjermania shfuqizoi sindikatat e lira një ditë pas vendosjes së festës, duke shkatërruar praktikisht lëvizjen punëtore gjermane.
Me shpërbërjen e bllokut komunist, festimet e mëdha të 1 Majit erdhën duke u zbehur. Gjithsesi, ende janë dhjetëra vende në të gjithë botën që e festojnë dhe e kanë shpallur si ditë pushimi, ku festimet janë reduktuar në piknikë e festa më të vogla, por ka edhe protesta e grumbullime në mbështetje të punëtorëve dhe kauzave të tyre.