Historiku

Top Albania Radio, historia e nje radioje me ngjyra!

Pranverë 1998. Shqipëria e atëhershme mediatike numëronte veç gazetave dhe disa iniciativave (po i quajmë kështu) audiovizuale, të konsideruara si dallëndyshet e para të erës së re, që po shfaqej paksa me vonesë në raport me shndërrimet e mëdha në rrafshet e tjera të jetës. Me një qasje të thjesht, pas 8 vitesh që kish rënë monopoli politik në vend, i kishte ardhur radha rënies së monopolit radioteleviziv (RTSH-së). Por nuk do të ndodhte ama si në politikë. E reja që do të zëvendësonte të vjetrën nuk do të mbarte reminishencat e kësaj të fundit.

historiku1

Kjo nuk do të vinte menjëherë. 3-4 radiot e para ishin më tepër “jukebox”, pa ndonjë cilësi audio të veçantë dhe e vetmja tërheqje që provokonin ishte muzika pa hesap në transmetim. Dhe kjo ndodhte ose me kaseta, CD te vjetra dhe xhirodisqe (pllakat e karbonit).

Për lajme profesionale apo për zëra profesionalë as që bëhej fjalë. Gjithçka kishte ndalur tek e kaluara. Ishte dhe një periudhë kur Shqipëria sa kishte nisur të mëkëmbej nga troshitja që i bëri vetes më 97-ën. Sakaq ishte dhe fund-dimri. Pranvera që po afrohej nuk ishte ajo e një viti më parë, por trishtimi ndër njerëz ishte akoma prezent. 14 shkurt 1998. Në 100 mgh/fm, dëgjohet “Top Albania Radio”.

historiku2

Që prej asaj dite, ky konstelacion me tre fjalë do të hynte në historinë e Shqipërisë si një faqe e re e saj, e revolucionit mediatik-audiovizual, që do të përfaqësohej fillimisht nga kjo radio e më pas nga “Top Channel” e “DigitAlb”.

Shumë shpejt, nga një radio ajo do të shndërrohej në fenomen, aq sa për banorin jo kryeqytetas, të shkoje në Tiranë do të thoshte të dëgjoje dhe “Top Albania Radion” për disa ditë apo për disa orë. Pa diskutim, kjo radio ishte një ndër evenimentet më të rëndësishme të 1998-ës për Shqipërinë, ndonëse një iniciativë private e një të riu me endrra mbi median e re në Shqipëri dhe fillimisht një radio ndryshe nga të tjerat. Ai ishte Dritan HOXHA.

Dritan Hoxha gjeti vitin më të vështirë për të menduar, vitin 1997, kur e gjithë Shqipëria ishte përfshirë në kaos pas rënies së skemave piramidale, që e hodhën shtetin dhe shqiptarët në rënie të lirë. Atëherë kur bizneset po largonin paratë dhe familjarët nga Shqipëria, Tani vendosi të investojë në ngritjen e një radioje. Ndërkaq, paralelisht me bizneset e tij, ngrihej edhe familja e tij biologjike. Vajza e tretë, Redia lindi pikërisht ditën kur lindi edhe “Top Albania Radio”, më 14 shkurt 1998.

“Top Albania Radio” mori liçensën e parë kombëtare për radiot private, duke hedhur brenda një viti një hap të rëndësishëm në suksesin e saj të padiskutueshëm. Sinjali i saj mbulonte 95% të territorit të vendit, kur radioja shtetërore 60-vjeçare mbulonte vetëm 75%. Kjo radio transmetonte rreth 19 edicione informative flesh dhe muzikë bashkëkohore. Ajo iu imponua të gjitha moshave, për një arsye të thjesht: të rinjtë e gjenin veten aty, ndërsa të moshuarit, sepse donin të ndiheshin të rinj.

historiku3

Por Tani e konsideroi Radion dashurinë e parë të ëndrrës së tij të vjetër. Tashmë kishte prekur fillin e një suksesi, që do të ngacmonte tek ai, në mënyrë të vazhdueshme, vetëm ide dhe risi. Mosha mesatare e stafit të “Top Albania Radio” ishte vetëm 20 vjeç. Ndoshta për këtë arsye, ai ndaloi gjithë stafin ta thërrisnin shef, bos apo pronar. Ai ishte thjesht Tani për ta, i cili shpesh-herë i thërriste në mbledhje të befasishme, dhe kur të gjithë prisnin vërejtje apo diçka tjetër, ai i ftonte në festë. Donte të ndante me ta, jo vetëm punën, por edhe suksesin.

Pas 3 vitesh, idetë për radion ishin shtuar, por dhe reflektimi ndaj kritikave të dëgjuesve. Në radio duhej kënduar më shumë shqip, ndërkohë që “Top Albania Radio” prekte tashmë, me sinjalin e saj, gjithë hapësirën shqipfolëse në Ballkan. Dhe i gjithë ky sukses, pa asnjë reklamë shtetërore apo lidhje politike.

Për shkak të këtij zhvillimi teknologjik, i vetmi në Shqipëri, por i paprecedentë edhe për vendet e Ballkanit dhe ato perëndimore, “Top Albania Radio” u bë stacioni i parë i vizitorëve të veçantë në Shqipëri.

Pasionant, inkurajues, Tani i prekte vetë i pari sukseset, dhe për këtë arsye, kishte zgjedhur një mënyrë jo të zakonshme të punuari. Të paktën në Shqipëri, punonte në ekip dhe besonte tek ky ekip. Ai rrinte gjithnjë pas kuintave, jo për të kontrolluar, por për t‘u ndjerë pjesë e ekipit.

historiku4

Tani kishte prekur një sukses të fortë me “Top Albania Radio”. Kjo ishte udha e hekurt, ku nuk do të kalonte më një tren me avull, por një ‘ekspres‘ i shpejtësisë së lartë. Kjo shpejtësi do ta çonte herët në stacionin e dytë të ëndrrës së tij të madhe, stacionin ku ai do të ndalej më gjatë dhe punonte më fortë. Në qershor të vitit 2001, hodhi me mjaft guxim idenë e hapjes së televizionit, i cili ngjalli që në ide kureshtjen dhe etjen për ta parë, ende pa lindur. Dhe “Top Channel” nuk i zhgënjeu pritshmëritë.

Transmetimet eksperimentale nisën që në janar të vitit 1998, ku transmetohej vetëm muzikë. Edhe transmetuesi i parë që mbulonte Tiranën dhe rrethinat e saj, u vendos pikërisht këtë muaj.

Më pas, 14 shkurti ishte dita kur nisi transmetimi zyrtar dhe atë ditë, prezantuesja e parë Gerta Heta lançoi tek dëgjuesit numrat e telefonit. Që atë ditë, telefonat e “Top Albania Radios” nuk kanë pushuar asnjë çast, për t’u bërë pjesë të gjithë nga pak të “Radios me ngjyra në Shqipëri”.

historiku5

Ndërsa emisioni i parë ka qënë një hit-parade me këngë “dance” të prezantuara nga Gerta Heta. Por vendosja e kontaktit telefonik me dëgjuesin solli nisjen e emisionit më tradicional të radios: “Një këngë për ty”, që edhe sot ruan kuota te larta të dëgjueshmërisë. Emisioni solli dëgjuesin në Radio, forma më e mirë për t’u futur tek një audience dhe kjo e fundit për të mbajtur një vesh tek radio më e re. Prezantuesja tjetër e TAR, Alketa Vejsiu, hyri në Radio si element i atij target grupi të rinjsh të cilët kishin një pasion, të preknin botën mediatike dhe të prezantonin muzikë të re dhe të mirë.

Sakaq, një zë femëror, që po ashtu u bë pjesë identifikuese e “Top Albania Radios”, ishte ai i Arbana Osmanit, siç vazhdon të jetë edhe sot dhe jo vetëm në radio. Kur flitet për “identifikim”, kihet parasysh që pothuajse e gjithë tradita e Top Medias ndërtohet, përvijohet mbi shumë risi e të veçanta origjinale. E njëra prej tyre është “identifikimi si identitet”, që shprehet në cilësinë e zërit të folëses apo folësit, cilësinë e artikulimit, formimin e përgjithshëm profesional dhe atë specifik. Nga këto lloj standartesh ndodh që “Top Albania Radio” bën menjëherë diferencën dhe dallimin e qartë, pa qenë nevoja të kërkosh me patjetër 100 mhz. Në pistën e nginjur të FM- së, “Top Albanian” mund ta gjesh kollaj dhe pa këtë orientim bazë, siç është vala në eter.

Shtrati artistik i TAR ka patur fillimisht identitetin e Bojken Lakos. Për programet e para në radio me tendencë që të afronte në format tradicionale dëgjuesit revolucion në këtë radio, që në ato fillime patën xhingllat e famshme. Mjet i identitetit të një radio ndryshe nga të tjerat në bandën FM.
Batuta “UA MAMI TOP ALBANIA”, si gjetje për t’i fiksuar shumë të rinjve dhe jo vetëm logon, nuk ishte rastësore.

historiku6

Ne fillim te 1999, Saimir Kodra e Genti Pjetri, marrin në drejtim “Radio Maninë”, program që me suksesin absolut të dikurshëm mbi dëgjuesit e radios, e beri TAR pikën e vetme të argëtimit radiofonik në vend.

E teksa TAR rritej aq sa mundej në hapsirën mediatike, 3 vite pas krijimit hyn në një stat të lart të investimit mediatik. Shpenzohen buxhete mijëra Euro për t’u vendosur në ambiente dinjitoze, tek Piramida.

historiku7

TAR mori përmasat e një institucioni, jo më një radio nga pasioni që mbetet aty. 3 studio prodhimi, një vetëm për krijimin e muzikës moderne shqiptare dhe më pas zgjerimi me staf te ri. Zëra të rinj në mikrofon për programe të shtuara dhe gjithëpërfshirëse.

Në atë kohë vjen Xhoi, e cila po ashtu gjeti vendin e saj tek programi historik “Një këngë për ty” dhe me kalimin e viteve në TAR, filluan edhe 14 programe të tjera si: “Brand Neë”, “Hit-Parade anglez, amerikan, europian,shqiptar, RNB, “ëçks Chart Parade”, “Top Albania Radio ëçkend”, “Summer time”.

DJ kanë qenë dhe mbeten pjesa tjetër e thelbit “ndryshe” dhe pakrahasueshmërisht të avancuar të “Top Albania Radios”. DJ Aldo ka qenë i pari i radios, i dalluar për mjeshtërinë e miksimit së bashku me DJ Bendin e DJ Oltin, e me pas Indrin e Dori DJ.

historiku8

Në çdo pajisje funksionale sot në TAR që nga transmetuesit, mikserat, serverat me sistemin komjuterik të transmetimit dhe deri tek mikrofonat e studiove, janë “fjala e fundit” e teknologjisë, një traditë e Tanit që vijon edhe sot. “Top Albania Radio” aplikoi për herë të parë dhe transmetimin me program kompjuterik, siç ishte “Etere-Player”, që tashmë ka kaluar si program avangardë në transmetimet televizive. “Top Albania Radio”, që në 99-ën ishte e para radio që nisi të blinte muzikë me të drejta transmetimi.

Ndërkohë që nuk bëhet fjalë për diferencë kohore qoftë dhe në orë të hedhjes në transmetim të hiteve më të fundit, por që pastaj përcaktohet artistikisht se cila prej tyre do të ngrihet në statusin e hitit me preferencë masive. Ngritja më pas e post-produksionit të radios nga ana e Bojken Lakos dhe Fabian Asllanit, ishte arritja tjetër e madhe e radios, prej së cilës nisi prodhimi i xhingllave, siglave dhe i produkteve të tjera audio, me të cilat sot e kësaj dite furnizohen sektorë të tjerë të Top Medias.

Edhe pse skeptrin e pushtetit mbi publikun e ka marrë televizioni (gjithësesi “vëllai i madh”, “Top Channel”), “Top Albania Radio” vijon të sundojë në audiencën e radiodëgjuesve shqiptarë.

Në një studim të fundit në terren nga gazetari Arben Muka rezulton se drejtuesit e automjeteve në Shqipëri, të cilët dëgjojnë radion gjatë udhëtimit të tyre, preferojnë të ndjekin më shumë Top Albania Radion për programet, muzikën dhe programacionin e qëndrueshëm.

Studim i kryer në 5 qarqet më të rëndësishme në vend. Emisioni më i ndjekur ka qenë ai i mëngjesit “Wake Up”, në 4 nga 5 qarqet ku është bërë studimi.

Studimi i kryer në Tiranë, Korçë, Shkodër, Vlorë e Elbasan, është bazuar në të dhënat e Ministrisë së Transportit dhe Punëve Publike dhe është fokusuar në mbledhjen e informacionit nga një target-grup i përbërë prej njerëzish të prejardhjeve, profesioneve, moshave dhe gjinive të ndryshme, në mënyrë që të jetë sa më përfaqësues.

Revolucioni në lajme

Lajmet e “Top Albania Radios” ishin pjesa që tregonte se ndërtimi i saj nuk ishte një trill momenti i dikujt. I vetmi aspekt jokomercial e që përmbledh të gjitha atributet e formimit gazetaresk, u bë shumë shpejt fytyra tjetër simpatike e radios brenda një portreti joshës në maksimum. Zamira Koleci, një gazetare traditë në Radio Tirana, ishte ajo që do të themelonte redaksinë e lajmeve në radio, me një format tërësisht të ri; me lajmin e shpejtë flesh; të shkurtër e ritmik. Fillimisht çdo dy orë, edicionet u bënë çdo një orë, duke e sjellë lajmin e fundit pa e përsëritur atë për të gjitha fushat, nga vendi e bota. Edhe në këtë pikë, “Top Albania Radio” realizoi një revolucion në historinë e servirjes së lajmit ne Radio.

historiku9
Programacioni, si u rrit Top Albania

Dëgjueshmëria rekord u shënua që në vitin e parë. Në vitin 2000 mori liçencën si radio kombëtare, duke shtrirë kështu valët përpos Shqipërisë, edhe në zonat e rajonit ku ka shqiptarë. Viti 2001 do të sillte risi të tjera. Spostimi në qëndrën kombëtare të kulturës “Pjetër Arbnori”, në një studio me teknologji të lartë. Në vitin 2002, përveç muzikës, nisi t’i japë më shumë hapësirë informacionit, si dhe emisioneve me tematika të ndryshme, njëri prej tyre “Good Morning Albania”, i cili më pas do të transmetohej edhe në “Top Channel”. Ndër programet e para kanë qënë “Një këngë për ty” dhe “Disco Lancio” të kthyera në programe kult tashmë në transmetim edhe sot, së bashku me një sërë të tjerash si “Wake Up”, “Live from Tirana”, “Radio Cinema”, “Road trip”, “Rikoshet”, “Mix 2 mix”, “Pro Shqip”, “Summer Dance” e “Top Dance”.

historiku10

Radios “Top Albania Radio” iu shtuan edhe emra të njohur të gazetarisë televizive, si Sokol Balla, me emisionin “Sokol Balla live” apo Alban Dudushi me “Triçikël”. Të ftuar në radio kanë qënë personalitete të të gjitha fushave, artistët më të mirë të muzikës ndërkombëtare të cilët kanë ardhur në Shqipëri ku si stacion komunikimi me dëgjuesin kanë patur studion e TAR. Politikanët më në zë të vendit dhe rajonit kanë folur ne studion e Top Albanias në emisione nga më të ndryshmet. Presidentët e vendit, Kryeministrat dhe një sërë personalitetesh janë bërë pjesë e transmetimeve tona.

Ndërkaq me kalimin e viteve dhe një sërë ndryshimesh të tjera pasuan. Radio nuk ishte më e njëjta, një frymë e re erdhi për ta bërë Radion sërish ‘In’, moderne. Thënë kjo emra të rinj prezantuesish dhe emisione të reja iu shtuan programacionit. Teksa “Një këngë për ty” nuk iu zbeh aspak interesi për publikun, ku vazhdojnë të dërgojnë preferencat e tyre muzikore, por tashmë i shtohet dhe dërgimi i ‘voice message’ në WhatsApp, si dhe telefonatat për t’u bërë pjesë e emisionit, për të luajtuar me quize dhe për të fituar dhurata.

Emisione të reja u shtuan ditë pas dite në ato që vazhdojnë ende aktualisht, “Ndryshe”, “Wake Me Up”, “House Nation”, “At The Movies” “On The Mic Me Albanën”, “Sot Nuk Është e Hënë” apo “Paso”. Një tjetër risi që erdhi me kalimin e viteve ishte dhe krijimi i një kanali zyrtar në YouTube, çdo ditë me të gjitha videot e emisioneve tona, të ftuar dhe tema interesante. Momentalisht numërohen mbi 33 mijë ‘subscribers’ që vijnë duke u rritur dita-ditës.

Jo vetëm kaq, por “Top Albania Radio” u sigurua që të jetë gjithmonë e më pranë publikut, këtë herë në rrjete sociale. Teksa teknologjia zë një pjesë të madhe të kohës sonë, përdoruesit në rrjet kanë mundësinë të jenë non-stop duke na ndjekur në Instagram, Facebook, por edhe duke dëgjuar live transmetimin e radios në faqen e Web-it, duke lexuar lajmet më të fundit, aktualitet apo showbiz. TAR vijoi duke krijuar një plaformë podcastesh me më shumë se 25 podcaste origjinale. Njofimi i dëgjuesve tanë besnikë me të rejat më të fundit, muzikën më të mirë të momentit, artistë të ndryshëm shqiptarë apo të huaj dhe tema të ndryshme çdo ditë.

Me zyra të reja tashmë më në qendër të Tiranës, pranë stadiumit Air Albania, një tjetër histori pret të shkruhet. Synimi për të parë gjithmonë nga e ardhmja dhe për të krijuar gjithnjë gjëra të reja…

“Top Albania Radio” është e vetmja radio kombëtare me mbulim 18/24 me programe, jo vetëm muzikë. Duke nisur nga 14 shkurti 2022, një aplikacion i ri i shtohet platformës së “Top Albania Radio”-s. Tashmë “Top Albania Radio” mund të shkarkohet si një aplikacion ku mund ta keni gjithnjë me vete.

Nga viti 2022 shumë risi erdhën nga Top Albania Radio për të gjithë dëgjuesit e saj besnikë. Duke filluar nga mbulimi i eventeve dhe emisioneve televizivë, si “Big Brother VIP Red Carpet”, apo “South Outdoor Fest”. Kjo duke u siguruar të sjellë çdo moment tek dëgjuesit, edhe për ata që nuk kanë pasur mundësi të jenë pjesë live. Dhe meqë jemi tek live, do ndalemi tek “A Live Night”, emisioni që solli artistët më në zë shqiptarë në një aspekt më ndryshe, më pa filtra se kurrë, intervista mbi detaje të jetës dhe karrierës së tyre që nuk ishin dëgjuar kurrë më parë.

Në lumin e programeve televizive dhe ‘qyfyreve’ të tyre frymëzuar nga cikli ‘Mai Dire’ i Mediaset – tre emra të njohur të radios & TV në Shqipëri erdhën me një program ku komentohen perlat nga programet që njihni dhe nuk i njihni, që i keni parë ose me shumë gjasa jo, xhanëm me kaq sa janë kjo është e pamundur… “S’e kam me ty” u rikthye sërish, por këtë herë me doza humori edhe më të shtuara.

Emra të rinj iu shtuan zërave të Top Albania Radio-s, si Lei Kraja, Edea Demaliaj, Anxhela Baxhija, Blerina Shehu. Blendi Salaj, Neada Muçaj dhe Enxhi Nasufi, morën drejtimin e “Wake Up” me nisjen e sezonit të ri në 2022.

E tashmë, kur viti 2023 nisi me një vëmendje të paduiskutueshme me “Big Brother VIP”, Top Albania Radio sërish solli atë që do publiku. Emisioni “Big Brother Radio” u bë zëri i të gjithë dëgjuesve dhe fansave.

 

“Top Albania Radio” prodhon dhe promovon muzikën shqiptare e cila zë një hapësirë prej afro 40% të play listës muzikore. 25 vjet transmetim, me qëllimin për të dhënë më të mirën.