Bota

Historike, Tajlanda miraton ligjin për martesat e të njëjtit seks!

Senati i Tajlandës miratoi ligjin për martesat e të njejtit seks, duke i hapur rrugën vendit që të bëhet vendi i tretë në Azi pas Nepalit dhe Tajvanit. Ligji fitoi mbështetjen e pothuajse të gjithë ligjvënësve të dhomës së sipërme dhe do të dërgohet në pallat për miratim. Ligji do të hyjë në fuqi pas 120 ditësh.

Mbrojtësit e LGBTQ+ e quajtën lëvizjen një hap përpara pasi do ta bënte Tajlandën vendin e parë në Azinë Juglindore që do të miratonte legjislacionin për barazinë martesore. Tajlanda është tashmë e njohur për kulturën dhe tolerancën e saj ndaj LGBTQ+, duke e bërë atë një destinacion popullor për turistët.

“Kjo do të nënvizonte lidershipin e Tajlandës në rajon në promovimin e të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore”-tha Komisioni i Shoqërisë Civile për barazinë martesore, aktivistë dhe çifte LGBTI+. Projektligji është kulmi i përpjekjeve të më shumë se një dekade nga aktivistët dhe politikanët.

Ndërkaq, rikujtojmë se Greqia është vendi i parë ortodoks që ka lejuar martesat e homoseksualëve. Stavros Gavriliadis dhe Dimitris Elefsiniotis nuk kanë humbur kohë dhe janë martuar. Dasma e parë e një çifti të të njëjtit gjini në Greqi është kryer në bashkinë e lagjes Nea Smirni në Athinë, në një ceremoni ku kanë marrë pjesë vetëm persona nga rrethi i ngushtë familjar.

Ata jetonin së bashku prej 20 vitesh, kishin blerë një shtëpi dhe kishin tre fëmijë. Megjithatë, deri tani nuk ishte e mundur që të dy të martoheshin apo të njiheshin që të dy zyrtarisht si prindër të tre fëmijëve të tyre. Ligji i mëparshëm njihte vetëm një prej prindërve që ishte babai i tyre biologjik dhe jo partnerin e tij nëse sëmurej apo i ndodhte diçka.

Edhe në Nepal u regjistrua martesë e parë e të njëjtit seks. “Pas 23 vitesh luftë, ne kemi arritur një arritje historike dhe Maya dhe Surendra më në fund e kanë zyrtarizuar martesën e tyre në zyrën e administratës lokale,”-tha Sunil Babu Pant, një ish-deputet i hapur homoseksual dhe aktivist kryesor për të drejtat e LGBTQ+ që mori pjesë në martesën e çiftit homoseksual.