Sport

Historike, skiatorja kuq e zi Lara Colturi hyn në Top10 në një Kupë Bote!

Për herë të parë, skiatorja Lara Colturi është futur në Top10, në një garë të Kupës së Botës. Ky është një rezultat historik për skiatoren kuq e zi, si dhe një gur kilometrik për skitë në Shqipëri. Lara Colturi u rendit e 9-ta dhe arriti kohën më të mirë në lëshimin e dytë duke lënë pas edhe Shiffrin apo Vlohvën, siç njoftoi sot KOKSH.

Ajo u nis me numrin 60 në fillim të garës, duke realizuar një arritje të madhe për t’u futur në Top 10. Me këtë rezultat, Lara konsolidon vendin në Top 30, në renditjen e përgjithshme në disiplinën e Slalomit.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se “qeveria shqiptare dhe MAS janë të angazhuara për mbështetjen e sportistëve elitarë”.

E pyetur nga gazetarët pas mbledhjes së qeverisë për dhënien e shpërblimeve për atleten Luiza Gega, Manastirliu u shpreh:

E kemi treguar mbështetjen tonë për kampionen Luiza Gega sa i takon shpërblimeve, në sistemin tonë të shpërblimeve të miratuar në strukturën që bashkërendon kriteret e ligjit të sportit dhe ato të përcaktuara në sistemin e shpërblimeve.

Përtej shpërblimeve sikurse është edhe atletja jonë, kampionia Luiza Gega janë edhe të mbështetur nga të gjithë aspektet i që i përkasin ligjit për sportin edhe si mbështetje direkte në Forcat e Armatosura me gradën e përcaktuar do vijojmë ta mbështesim në garat ku ajo ka pasur arritje të larta.

Gjatë viteve 2022-2023 e kemi mbështetur për arritjet e saj ballkanike, europiane, në 13 shpërblime për këto gara dhe do të vijojmë ta vlerësojmë siç e kemi vlerësuar gjithmonë.

Këtë vit kemi edhe lojërat olimpike të Parisit dhe për ne mbështetja nëpërmjet  shpërblimeve dhe sigurimit të kushteve lehtësuese për përgatitjen e sportistëve është prioritet absolut dhe do të vijojë kjo mbështetje për ta dhe për Luizën, në rastin konkret, nuk do të mungojë.