Shqipëria ka fituar për herë të parë në historinë e saj, medalje olimpike.
Rusi Chermen Valiev, i natyralizuar si kuqezi, ia ka dalë t’i sjellë Shqipërisë medaljen e parë Olimpike në histori.
25-vjeçari mundi 6-2 rivalin nga Taxhikistani, Viktor Rassadin, në stilin e lirë për peshën deri në 74 kilogramë, duke fituar medaljen e bronztë në finalen e vogël. Paçka se vetëm të bronztën, Valiev ka fituar atë që për dekada të tëra nuk kanë bërë shumë sportistë kuqezinj.
Tanimë vendi ynë e ka një medalje Olimpike, gjë që ndodhi pas pjesëmarrjes së dhjetë në Lojërat Olimpike. Valiev tanimë do shpërblehet nga shteti shqiptar për këtë arritje me 50 milionë lekë (të vjetër), si edhe me gradën Kolonel.
Ecuria e Valiev në Lojërat Olimpike
Valiev u eliminua të premten në çerekfinale nga uzbekistanasi Zhamalov, por mundësi ynë ishte në garë ditën e shtunë pas ‘ripeshkimit’ për një medalje bronzi dhe arriti t’ia dalë të triumfojë, duke sjellë medaljen e parë historike për vendin tonë.
Shqipëria ishte një nga 5 vendet që nuk kishte fituar kurrë medalje Olimpike, së bashku me Bosnjen, Maltën, Monacon dhe Andorran. Por, rrugëtimi i skuadrës kuqezi nuk përfundon me kaq, pasi ditën e dielë Islam Dudaev do të përpiqet të fitojë edhe ai një medalje bronzi.
Kush është Chermen Valiev?
Chermen Akhsarbekovich Valiev ka lindur më 10 dhjetor 1998, në Osetinë e Veriut në Rusi dhe aktualisht është një mundës i stilit të lirë që garon në 74 kilogramë për Shqipërinë.
Për vendlindjen e tij, Rusinë, Valiev ka fituar një titull kampion bote dhe një Evropian për U23, një kampion kombëtar rus dhe është fitues i shumëfishtë medaljeve të arit në turnetë ndërkombëtare.
Që nga transferimi në Shqipëri në vitin 2024, Valiev u kualifikua për të përfaqësuar Shqipërinë në Lojërat Olimpike Verore 2024 në Paris, duke u renditur i treti në Turneun Olimpik Botëror të Kualifikimit.
Në dhjetë turnetë e Lojërave Olimpike që Shqipëria ka marrë pjesë, duhej një rus nga Osetia e Veriut që të natyralizohej si kuqezi, për t’i dhënë Shqipërisë medaljen e parë (e bronztë) në historinë e Olimpiadës.