Një ditë historike për mjekësinë, pasi Alberto Breda, kreu i Onkologjisë Urologjike dhe i Ekipit Kirurgjik të Transplantit Renal të fondacionit ”Puigvert”, kreu me sukses nefrektominë e parë robotike transkontinentale të kryer nga Evropa në Azi.
Pacienti, një 37-vjeçar me tumor në veshka, ndodhej në spital në Pekin, ndërsa kirurgu që e operoi ishte 8 264 kilometra larg. Kirurgu ishte në një dhomë dhe nëpërmjet Edge Robotic System, ai kontrollonte nga distanca krahët robotikë. Kjo metode pritet të revolucionojë ndërhyrjet kirurgjikale edhe nëpër zona të vështira malore si dhe në zonat ku mjekët nuk kanë eksperiencat e duhura kirurgjikale.
Robotët tashmë po përdoren në dhomat e operacionit për ndërhyrje të sakta në zemër, sy dhe tru. Rikujtojmë se kirurgët në Zvicër kryen me sukses një endoskopi në një derr të gjallë dhe të shëndetshëm të shtrirë në tryezën e operacionit në Hong Kong. Siç theksojnë shkencëtarët, ky mund të jetë hapi i parë dhe i rëndësishëm drejt kryerjes së operacioneve në distancë dhe te njerëzit.
Në një studim të botuar në revistën Advanced Intelligent Systems, raporton Zimo, shkencëtarët shpjeguan se si përdorën një robot kirurgjik dhe një endoskop magnetik në Hong Kong, i cili ishte i lidhur nëpërmjet protokollit WebSocket për shkëmbimin e të dhënave në kohë reale, me një kontrollues në Cyrih. Kirurgët zviceranë monitoruan të gjithë procedurën me ndihmën e një video lidhjeje.
Endoskopi magnetik është i pajisur me një sërë magnetesh përgjatë gjatësisë së tij, në mënyrë që të kontrollohet duke ndryshuar fushën magnetike jashtë trupit të pacientit. Pikërisht nga kjo përfituan kirurgët dhe duke përdorur PlayStation 3 Move, ata e kryen procedurën me sukses. Në raste të tjera, ata përdorën gjithashtu një kontrollues PlayStation 5. Deri më tani, ky lloj i mjekësisë në distancë ishte kryesisht i kufizuar nga vonesa në transmetimin e të dhënave.