Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer është zotuar të sigurojë që çdo fëmijë në Angli të mësojë për Holokaustin duke e bërë atë një lëndë të detyrueshme në shkolla. Si pjesë e rishikimit të kurrikulës së Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, shefi i qeverisë së Londrës vuri në dukje se “studimi i Holokaustit do të bëhej një pjesë kritike dhe jetike e identitetit të çdo studenti”.
Ai shtoi se “do të luftojë për ta nxjerrë vendin nga humnera e antisemitizmit”, duke e krahasuar me përvojën personale të “ndryshimit” të Partisë Laburiste.
Starmer i bëri premtimet në një darkë apeli të Holokaust Education Trust, ku po ashtu premtoi 2.2 milion £ (2.9 milion dollarë) për projektin Lessons from Auschwitz. Projekti u ofron studentëve dhe mësuesve një kurs për të rritur të kuptuarit e Holokaustit, duke përfshirë një vizitë në kampin nazist të përqendrimit në Poloni dhe dëgjimin e përvojave të dorës së parë të të mbijetuarve.
Një milion hebrenj u vranë nga nazistët në Auschwitz-Birkenau gjatë Luftës së Dytë Botërore, si pjesë e Holokaustit, në të cilin u vranë gjashtë milionë burra, gra dhe fëmijë hebrenj.
Të hënën, Starmer u tha të pranishmëve në darkë se gruaja e tij ka vizituar Aushvicin, por ai ende nuk e ka bërë këtë. Në një fjalim, u shpreh:
Unë e di se nuk ka asgjë më të fuqishme sesa ta shohësh vetë. Gruaja ime Vic ka qenë atje, unë duhet të shkoj. Kështu që unë do t’i bashkohem Trustit Arsimor të Holokaustit për një nga këto vizita.
Në maj, Izraeli përkujtoi gjashtë milion hebrenjtë që u vranë nga nazistët dhe bashkëpunëtorët e tyre gjatë Holokaustit, ndërkohë që po bënte përgatitje për një ofensivë të mundshme në Rafah, pasi grupi islamik palestinez Hamas mban pengje të rrëmbyer në Izrael, më 7 tetor 2023.
Mëngjesin e 6 majit, sirenat kumbuan për dy minuta në të gjithë vendin për të përkujtuar katastrofën. Makinat ndaluan në rrugë dhe kalimtarët qëndruan në heshtje në nderim të viktimave. Ceremonia qendrore përkujtimore pasoi në memorialin e Holokaustit “Yad Vashem” në Jerusalem.
Këtë vit, Dita e Përkujtimit u shënua nën hijen e luftës së Gazës, e që po zgjat prej rreth një viti.