Celebrities

HistoGri – Dinastia Gucci, një histori sensacionale e vrasjes, çmendurisë, glamurit dhe lakmisë…

Historia më e fundit në “HistoGri” është mjaft e njohur në Itali. Madje është aq e njohur sa italianët në gjenerata kanë shtyrë vitet e tyre me një telenovelë kimie, pasioni, me anë të errëta, xhelozie dhe ambicie brenda familjes së famshme të modes Gucci. Kjo histori vjen pasi Lady Gaga nxorri posterin e filmit “The House Of Gucci” që merret pikërisht me ketë histori, të cilën për këdo që e ka dëgjuar mbetet tipikisht krim pasioni dhe deri e pabesueshme. Për kë e has për herë të parë i duket histori shastisëse…Kjo është një histori sensacionale e vrasjes, çmendurisë, glamurit dhe lakmisë…

E gjitha ndodhi në 27 Mars 1995. 2 plumba në shpinë dhe një në kokë i moren jetën pasardhësit të fundit të dinastisë Gucci. Vrasja e Maurizio Gucci-t, u bë në Italinë e pas viteve ’90, saga më e përfolur, por njëkohësisht edhe telenovela me një vejushë, që si nëpër romane, iu vesh përcaktimi ‘vejusha e zezë’, sepse krimi i pasionit ishte më i thellë dhe detaje deri në të pabesueshme filluan të mësohen publikisht vit pas viti nëpër gjyqe publike.

Por si e filluan perandorinë e tyre Gucci-t e Italisë?  Guccio Gucci, ishte plaku i shtëpise që themeloi kolosin italian të modës në 1921 në Firence. Duke punuar për vite në hotele luksoze në Paris dhe Londër, kishte hyrë në kontakt të ngushtë me njerëz të ‘shoqërisë së lartë’ dhe ishte magjepsur nga rrobaqepësia dhe estetika e tyre e lartë. Vizioni i tij ishte të krijonte një kompani që do t’u përgjigjej nevojave të këtyre njerëzve. Dhe kështu bëri. Filloi të prodhojë pajisje lëkure, këpucë, çanta dhe rripa. Filloi me një dyqan në Firence dhe gradualisht u zgjerua në Milano dhe Romë.

Por arriti majat kur me vdekjen e Guccio, ndërmarrja kaloi në duart e dy djemve të tij, Aldo dhe Rodolfo. Ata modernizuan prodhimin, u përqëndruan në marketing dhe i dhanë markës një frymë ndërkombëtare. Selia u zhvendos në New York dhe reputacioni i Gucci u përhap në të gjithë botën. Në fakt, të dy vëllezërit vendosën të ndalonin të merreshin ekskluzivisht me shtresat e larta shoqërore dhe lançuan pjesë që synonin një publik të gjerë.

Por trashëgimia, aq më shumë kur degëzohet, nga historia së paku është mesuar se pronën e babait, 2 mënyra ka, ose e shet lirë, ose përkundrazi e forcon në treg për të mos humbur ADN-ja e një biznesi që mban gjithnjë një mbiemër. Ata që morën përsipër kompaninë pas Aldo-s dhe Rodolfo-s ishin fëmijët e tyre. Sidoqoftë, djali i vetëm i Rodolfo-s kishte marëdhënie të ftohta me familjen vitet e fundit.

Në fund të viteve 1960, 20-vjeçari Maurizio ishte njohur me bashkëmoshataren e tij Patrizia Reggiani në një festë dhe të dy të rinjtë u dashuruan menjëherë. Askush në familje nuk e aprovoi këtë marrëdhënie. Besonin se Patrizia ishte me të për interes dhe më shumë donte emrin dhe paratë e djaloshit Gucci. Sidoqoftë, Maurizio nuk bënte pas. Kështu kaluan vitet dhe çifti i ri mbetej së bashku. Babai ortak, Rodolfo, arriti deri aty sa t’i thoshte djalit të tij se duhej të zgjidhte. Nga njëra anë ishte familja dhe kompania dhe nga ana tjetër ishte Patrizia. Përgjigja e 24-vjeçarit ishte e qartë dhe e prerë. Në vitin 1972 Maurizio Gucci dhe Patrizia Reggiani u martuan.

 

Deri në lindjen e vajzës së tyre të parë, Rodolfo dhe pjesa tjetër e familjes kishin ndërprerë çdo kontakt me Maurizio-n. Patrizia më pas filloi t’i bëjë presion burrit të saj për të rivendosur marrëdhëniet me babanë e tij. Askush nuk mund të dyshojë që ajo grua në atë kohë e ka patur qëllimin e mirë të bashkonte familjen, së paku të mos etiketohej ajo delja e zezë. Apo kuptoi se distancimi nga një pasuri marramendëse, sidoqoftë nuk ishte zgjedhja më e mirë?

Por Maurizio, djali i shtëpisë, trashëgimtari i mëvonshëm, e dëgjoi përsëri. Kontaktoi të atin Rodolfo-n, duke i thënë se dëshironte të merrej seriozisht me biznesin dhe të bëheshin përsëri një familje. Ai nuk e pati të vështirë të bindej. E fali të birin dhe e futi fuqishëm në udhëheqjen e një prej brandeve më të mëdha të modës.

Anëtarët e tjerë të dinastisë Gucci nuk e pranuan përsëri me të njëjtën ngrohtësi. Maurizio ishte shumë konkurrues me xhaxhain dhe kushërinjtë e tij, të cilët zotëronin 50% të kompanisë në tërësi. Me kalimin e viteve, konkurrenca evoloi në një betejë të pastër. Maurizio akuzoi xhaxhain e tij, Aldo, se vidhte para nga biznesi. Gjeti aleat në akuzat e tij, kushëririn, Paulo. Ky i fundit, një tip i pazakontë që kishte mllefe me të atin, pra xhaxha Aldon dhe me ndihmën e Maurizio, mblodhën prova dhe e akuzuan zyrtarisht për pastrim parash. Aldo, me gjithë avokatët e mëdhenj që e mbronin, nuk arriti të shpëtonte nga burgu. Maurizio megjithatë, nuk u ndal këtu.

Qëllimi i tij përfundimtar ishte të dëbonte të gjithë Gucci-t e tjerë nga kompania dhe të bëhej sundimtar absolut. Vdekja e babait të tij në 1983 e bëri më të lehtë objektivin e tij. Atë vit, hyri në marrëveshje sekrete me investitorë arabë, të cilët morën përsipër të bindnin tre kushërinjtë e Maurizio-s që të shisnin aksionet e tyre.

I pari u dorëzua Paolo, ai që shiti të atin, pra xhaxha Aldon dhe shumë shpejt pasuan dy të tjerët. Aldo tani mbeti vetëm në bord, duke zotëruar një përqindje shumë të vogël të kompanisë. Por nuk mbaron me kaq…Në biznesin e familjes, Maurizio  brenda natës dhe pa e informuar, i kishte boshatisur zyrën dhe i mori postin e presidentit. Nuk kaloi shumë kohë dhe me keqardhje u detyrua të shesë përqindjet e tij. Xhaxhai Aldo i plakur nuk e zgjati shumq. Vdiq disa muaj më vonë.

E gjithë historia deri tani, që duket një telenovelë brenda familjes, e kishte një arkitekte për të shtyrë ambicien e të shoqit deri në delir. Patrizia, ose ndryshe Lady Gucci…

Por jeta e tyre edhe pas furtunës në sipërmarrjen më të fuqishme të modes, nuk shkonte vaj…ishte një martesë në krizë. Krahas intrigave brenda kompanisë, jeta personale e Maurizio Gucci ishte gjithashtu në krizë. Në vitin 1984, burri 36-vjeçar u largua nga shtëpia, duke braktisur gruan e tij dhe dy vajzat. Ketu nis i gjithë zemërimi, shpërthimi, urrejtja, ligësia personale e një bashkshorteje të tradhtuar dhe të lënduar…

Një mesazh telefonik i saj, ku ajo e kërcënon se pas ikjes dhe braktisjes, jeta do t’i bëhej ferr, u përdor më vonë në gjyqin kundër saj, ku u akuzua direkt si urdhëruese e vrasjes së të shoqit. Patrizia i krahason se si dikur i shoqi falsifikoi firmën e të atit për të kapur kompaninë dhe i dukej sikur ai ishte moment ferri për të…në fakt nuk kishte parë asgjë akoma…ferrin e vërtetë ja premtonte ajo vetë…

Ai iku nga shtëpia se u dashurua me një tjetër. Megjithëse nuk ishin ndarë zyrtarisht, Maurizio i jepte Patrizia-s rreth një milionë dollarë në muaj për ushqim. Megjithatë, ditët e presidencës së tij në kompani nuk shkonin mirë dhe “dieta” gradualisht pakësohej. Patrizia, e mësuar me një mënyrë jetese të shtrenjtë, ishte shumë e pakënaqur. Por sa herë që përpiqej të vizitonte të shoqin për të biseduar dhe për t’u pajtuar, ai e dëbonte nga zyra e tij.

Dhe divorci ishte pika që çon në krizë psikologjike, emocionale dhe agresive Patrizia-n…sepse i kërkohet të heqi dorë nga emri. Emri ishte statusi dhe statusin Zonja Gucci, mund t’ja hiqte gjykata por në kokën e saj ajo e mbajti dhe e mban ende, por kaq…veç një fiksim personal i një statusi që nuk e lëshoi kurrë edhe pse juridikisht nuk i takonte. Deri këtu, e gjitha duket një histori si shumë të tjera, veç se në këtë rast ata janë njerëz të pasur dhe gjerat komplikohen disi, por burra dhe gra që marrin peng martesa të palumtura ka plot. Dhe as ata nga kjo sjellje nuk bënin përjashtim.

Fiksimi pse ai e la dhe çfarë humbte, e verboi deri në pikën që në ditët e agonisë së ndjenjave, takon një fallxhore, për të lexuar mbi të ardhmen e një mardhënie që kishte marrë tashmë fund. Një napoletane, Giuseppina Auriema, e cila dalëngadalë i afrohet dhe nisin një shoqëri të ngushtë, parë nga jashtë një marrëdhënie interesi e ndërvarësie, e një gruaje në dëshpërim dhe, pa arsye dhe një përfitueseje që mundej lehtëisht t’a manipulonte për t’i marrë para.

Goditja fatale ndaj natyrës së saj të brishtë dhe të babëzitur erdhi në vitin 1994. Nga njëra anë, u informua se Maurizio kishte vendosur të shesë aksionet e tij në kompani dhe se ishte duke filluar procedurat e divorcit. Mësoi gjithashtu se arsyeja ishte ekzistenca e një gruaje tjetër me të cilën 45-vjeçari po planifikonte të martohej. Patrizia atëherë kuptoi se hapësirat ishin kufizuar shumë. Nëse do të divorcoheshin dhe Maurizio krijonte një familje tjetër, vajzat e saj nuk do të ishin trashëgimtaret e vetme të pasurisë. Ndoshta mund t’i ketë thirrur instikti i mëmësisë, për të ruajtur atë çfarë ishte e vajzave, por pak po e sigurtë që edhe inati e shtyu që të punësoje dy atentatorë për të vrarë burrin e saj.

Më 27 Mars 1995, në 08:30 Maurizio po shkonte në zyrën e tij në Milano. Por nuk arriti që të kalojë hyrjen kryesore. Ndërsa përshëndeti rojen, mori dy plumba në shpinë dhe një në kokë. U shemb i vdekur në dysheme. Karabinierët nxituan në vendin e ngjarjes dhe morën në pyetje dëshmitarët. Sidoqoftë, nuk zbuluan shumë gjëra. U hapen edhe hetimet dhe për 2 vite nuk kryen asnjë arrestim dhe çështja për pak do arkivohej. Jo vetem Italia u shokua nga vrasja, por e gjithë bota e modës.

Kur ka ngjarje të kësaj natyre, vrasje të personave që lidhen me modën, të bukurën dhe biznesin, pikëpyetjet dhe hipotezat pse i vrasin, të gjithë përpiqen t’i gjejnë shumë thellë. P.sh. kur u vra Gianni Versace në Miami, shumë menduan që vrasësi, Andrew Cunanen ishte i futur nga mafia italiane. Ndrageta e kishte paguar sepse Versace ishte në borxhe me siçilianët të cilët në një pikë të krizës ekonomike i kishin dhënë para që ai nuk po ua kthente. Dhe kështu e hoqën qafe. Por kush njeh historinë e vërtetë, e di që mafia as nuk hyn fare, po fare në lojë…ai u vra nga një njeri i fiksuar dhe kaq…

Edhe në rastin e Maurizio Gucci-t hetimet shkuan deri në detaje që borxhet me arabët, konkurrenca në botën e modës apo mos pranimi i disa “gjobave te mafias” që me jusifikimin e mbrojtjes së biznesit i kërkonin aksione me forcë, ishin thelbi i hetimeve të asaj kohe. Por kurrë prokurorëve nuk u shkoi në mendje se historia ishte banale, shumë më banale sesa të gjitha pistat e forta e të thella që hetonin. Por shikoni pak si zbulohet vrasja…

Në fillim të vitit 1997, një burrë që njihte njërin nga dy vrasësit, kontaktoi autoritetet dhe u tha atyre gjithçka që dinte. Me një emër kyç në posedimin e tyre, oficerët e policisë nuk vonuan për të zgjidhur misterin. Informatori që mori në telefon policinë, tregoi se teksa pinte me miq në një bar, në grupin e burrave me të cilin rrinin dhe po pinin, ju ishte bashkuar dhe një i njohur i një të njohuri, që në një moment në tavolinë u ishte mburrur burrave se ai kishte qenë pjesëmrrës në një vrasje të rëndësishme. Ai nuk kishte shtënë mbi viktimën por ishte bashkëpuntori më i ngushtë në vrasje…dhe i vrari ishte Maurizio Gucci, porositëse ishte e shoqja xheloze. Këtu hetimet marrin tjetër rrjedhë…

Por tani kishte prova të prekshme. Autoritetet, sapo gjetën të dy vrasësit, bënë lidhjen midis tyre dhe Patrizia-s, e cila u arrestua dhe doli para gjyqit. Lajmi bëri xhiron e botës. Gruaja dikur e trishtuar që jepte intervista në televizion dhe shfaqej duke qarë me dënesa gjatë varrimit, fitoi pseudonimin “vejusha e zezë”.

Avokatët e saj u përpoqën të fajësojnë mikeshën fallxhore, Giuseppina, duke pretenduar se ajo kishte organizuar vrasjen për të shantazhuar gruan. Sidoqoftë, gjykata nuk e besoi linjën e saj të mbrojtjes. Dënimi që iu dha ishte 29 vite burg. Megjithatë, rrjedha e ngjarjeve nuk e kënaqi plotësisht opinionin publik. Kjo për shkak se Patrizia u transferua në burg luksoz, ku kishte të gjitha komoditetet. Kishte një qeli private, pajisje elektronike, vizita të shpeshta dhe trajtim të mirë. Dy vajzat e saj, të cilat ishin në anën e saj që nga fillimi, nuk e ndalën betejën.

Në vitin 2011 dhe ndërsa nëna e tyre kishte bere 13 vite burg, arritën t’a lirojnë me kushtin që të bënte punë sociale. Reagimi i Patrizia-s ishte tregues i karakterit të saj. Edhe pse iu dha mundësia të dilte nga burgu me kushtin se do të bënte punë publike, ajo u shpreh se:

Kurrë nuk kam punuar në jetën time dhe nuk kam ndërmend të filloj tani.

Preferoi të qëndronte në burg për të paktën pesë vite të tjerë. Në vitin 2016, Patrizia Reggiani më në fund rimori lirinë e saj. Për shkak të sjelljes së mirë, u la e lirë pasi kreu 18 vite burg. Kjo grua pretendoi deri në fund se lajmin për vrasjen e burrit e mësoi në TV, burrit që deshi deri në fund të jetës, por që pagoi t’a vrisnin…

Kjo nuk është një histori kalimtare. Natyrisht që kush nuk e kishte dëgjuar më pare apo e dëgjon për herë të parë duket shastisëse, fiks si telenovelat e pasditeve me krim pasioni, xhelozi, histeri parteresh të tradhtuar dhe në fakt Hollywood-i sapo ka përfunduar filmin që me gjasë do të jetë për “Oscar” vitin e ardhshëm. Filmi quhet “House of Gucci” dhe regjisori është një nga më brilantët në kinematografi, Ridley Scott. Lady Gucci, ose Patrizia italiane në film është Lady Gaga.

Ajo u përzgjodh të ishte vejusha e zezë në filmin për vrasjen e nipit të themeluesit të Gucci-t. Ndërsa Maurizio-n, në film e interpreton një tjetër aktor fantastik si Adam Drive. Skenarin e filmit nuk mund t’a shkruanin kurrsesi amerikanët që kanë hedhur para t’a prodhojnë në parametra Hollywood-i këtë histori. Skenari i filmit është shkruar nga një brilant i komedisë italiane, Roberto Benigni dhe do të bazohet në librin e Sarah Gay Forden “Shtëpia e Gucci-t: Një histori sensacionale e vrasjes, çmendurisë, glamurit dhe lakmisë”.

Dhe për ta mbyllur, natyrisht që Patrizia, apo Lady Gucci, këtë nëntor kur të dalë filmi, nuk është as e para as e fundit që e gjallë në këtë botë, sheh veten të interpretuar si personazh në film, por paraprakisht ka deklaruar se nuk i kishte pëlqyer Lady Gaga si zgjedhje dhe mund t’a kishin pyetur më parë atë se kë mendonte.