Aktualitet

Himara voton, Celibashi: 6 mijë votues me ID të skaduara!

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ përditësoi shifrën e pjesëmarrjes në zgjedhjet në Himarë. Deri në orën 14:00 ishte 28.28% sipas raportimeve të 36 qendrave të votimit. Të regjistruar janë mbi 23 mijë votues, por 6 mijë prej tyre nuk mund të votojnë pasi nuk kanë rinovuar dokumentet e identifikimit. Pra, kartat e tyre ID janë të skaduara.

Ndërsa Himara voton për kreun e bashkisë që të zgjidhet një emër mes socialistit Vangjel Tavo e Petro Gjikurisë nga opozita, kryetari KQZ-së tha se “procesi i votimit po shkon normalisht”. Në një deklaratë për media, Ilirjan Celibashi adresoi dhe çështjen e kartave të skaduara të identitetit duke konfirmuar se janë 6 mijë të tilla.

Në radhë të parë, kjo është një çështje që nuk ka të bëjë aspak me përgjegjësitë e KQZ-së. E vërtetë që janë rreth 6 mijë votues, të cilëve dokumenti i identifikimit iu ka skaduar ose iu skadon deri sot. Gati e njëjta shifër votuesish ishte edhe në zgjedhjet e kaluara.

I pyetur se përse nuk u mor vendim nga Këshilli i Ministrave me një Akt Normativ e nëse ka komunikuar KQZ-ja me Ministrinë e Brendshme, tha:

E kemi bërë këtë komunikim sa herë ka pasur kërkesë nga partitë politike. Nuk e kemi pasur në këtë rast një kërkesë të tillë zyrtare nga partitë. E kemi pasur në mënyrë informale ditët e fundit për hir të së vërtetës, por mbetet jashtë sferës së përgatitjes dhe vëmendjes së KQZ-së.

Nëse do të kishte zgjidhje, duhej bërë ditë më parë. Eshtë një çështje që në fund të fundit, lidhet me interesin e vetë votuesve për të pasur një dokument identifikimi ditë më parë. Më pas, autoritetet përgjegjëse duhet t’i përgjigjen këtij interesi.

Celibashi shtoi:

Në përgjithësi, procesi ka shkuar qetë, që do të thotë se ka pasur raste kur janë evidentuar problematika. Kemi raportim për një qendër votimi ku ka pasur njerëz të paautorizuar që mbanin shënim personat që votonin. Kanë ndërhyrë përfaqësuesit e KQZ-së e tashmë është zgjidhur.

Pati një incident me përfaqësues të medias në Lukovë, të cilët nuk janë lejuar të filmonin. Në Shqipëri është lejuar që kameramanë, gazetarë të filmojnë në qendrat e votimit. Nëse një komisioner nuk ndihet komod me këtë gjë, atëherë duhet të lërë detyrën.