Aktualitet

Himara votoi, Vangjel Tavo kryetari i ri i bashkisë!

Himara me kryebashkiak të ri. Vangjel Tavo i PS-së, fitoi zgjedhjet e pjesshme të një dite më parë në një garë ku u rivalizua nga Petro Gjikuria si kandidat i opozitës. Tavo tha se fituan himariotët dhe deklaroi se Gjikuria është i mirëpritur si nënkryetar i bashkisë. Ai mori mbi 5 mijë vota, pra 58.62% kundrejt më shumë se 3 mijë e 500 të Gjikurisë, 41.38%. Pjesëmarrja ishte 37.69% referuar KQZ-së.

Sot fitoi Himara, fituan himariotët. Na besuan vijimësinë e mandatit 2023. Që sot nisim punën për të gjithë atë që iu kemi premtuar banorëve. Problemet nuk kanë ngjyrë e as Himara nuk ka ngjyrë. Fillojmë nga puna, të gjithë për Himarën e bashkuar pa probleme dhe të qetë. Festë nuk ka, ne do të vazhdojmë nga puna. Prioritet do të jetë turizmi. Oferta ka qenë e sinqertë, Gjikuria i mirëpritur për nënkryetar. Të them të drejtën e prisja fitoren me 1200- 1300 vota.

6 mijë zgjedhës në Himarë nuk e ushtruan dot të drejtën për të votuar për shkak se karta e tyre e identifikimit kishte skaduar. Për shifrën që u konfirmua nga Komisioneri Shtetëror  i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, deputeti demokrat Flamur Noka tha se “Celibashi e pohoi me gojë që në Shqipëri kush fiton e vendos Rama”.

Një ditë më parë, në një koment për Himarën, Sali Berisha foli për “krim të shëmtuar elektoral”.

Në “Facebook” shkruan: Përjashtimi i qindra zgjedhësve nga e drejta e votimit, ndryshimi i qëllimshëm dhe i programuar i qendrave të qindra qytetarëve, shtimi në listat e votimit të qindra qytetarëve nga Dropulli, Saranda apo pasunarve të vilave turistike të bregut janë veprime mafioze antiligjore që akuzojnë rëndë direkt Edi Ramën e Vangjel Tavon për krim të shëmtuar elektoral sipas Berishës.

Për Vangjel Dulen, zgjedhjet në Himarë janë më absurdet që mund të ndodhnin. Para gazetarëve, kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut u ankua dje teksa vuri në dukje se procesi mbështetet në një dekret presidencial të ankimuar dhe ende nuk ka vendim të formës së prerë mbi kushtetutshmërinë e tij”. Dule theksoi se të hënën, Himara do të jetë me dy kryebashkiakë të zgjedhur, referuar edhe Fredi Belerit, në burg për korrupsion zgjedhor.