Aktualitet

Himara nesër në zgjedhje, policia plan masash: Garantojmë që e drejta e votës të ushtrohet e lirë!

Nesër në Himarë mbahen zgjedhjet e parakohshme për kryebashkiak, pas dënimit dhe heqjes së mandatit Fredi Belerit. Policia njofton se ka marrë edhe masat e duhura për mbarëvajtjen e procesit, ruajtjen e qendrave dhe trajnimin e efektivëve për procesin.

KQZ ka miratuar edhe listën e punonjësve të Policisë, që do të angazhohen në procesin zgjedhor. 52 punonjës policie do të sigurojnë materialet zgjedhore në 36 qendrat e votimit.

“Në Komisariatin e Policisë Himarë, Drejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike dhe Shefi i Sektorit të Rendit në Departamentin e Sigurisë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, së bashku me Zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë Publike në DVP Vlorë dhe Shefin e Komisariatit të Policisë Himarë, zhvilluan instruktazhin me punonjësit e Policisë të angazhuar me detyra në procesin zgjedhor. Punonjësve të Policisë iu komunikuan detyrat që ka secili prej tyre për ruajtjen e qendrave dhe materialeve të votimit, si dhe masat e ndërmarra me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike dhe mbarëvajtjen e procesit gjatë procesit zgjedhor të datës 04 Gusht 2024”, thuhet në njoftimin zyrtar.

I gjithë personeli policor i angazhuar me detyra gjatë procesit zgjedhor është i trajnuar për detyrat që ka dhe që kryen gjatë procesit zgjedhor.

Policia ka edhe një apel për forcat politike dhe qytetarët:

“Në këtë kuadër, apelojmë për të gjithë qytetarët dhe subjektet e përfshira në këtë proces që të respektojnë plotësisht të gjitha detyrimet ligjore me të cilat i ngarkon Kodi Zgjedhor dhe ligjet e tjera”.

Më tej garantohet se “janë ndërmarrë të gjitha masat që e drejta e tyre kushtetuese për zgjedhjen e drejtuesit të pushtetit lokal të ushtrohet e lirë, e qetë, e pacenuar dhe e paintimiduar prej askujt”.

“Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe të Komisariatit të Policisë Himarë janë tejet të vendosura dhe të angazhuara për të mbajtur në kontroll të plotë gjithë territorin, me qëllimin e vetëm të sundimit të ligjit”, përfundon njoftimi.

23 mijë e 74 qytetarë të Himarës do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur mes dy kandidatëve, Vangjel Tavo i socialistëve dhe Petro Gjikuria i opozitës.

Në total do të jenë 36 qendra votimi në Himarë, që do të hapen në orën 07:00 dhe do mbyllen në 19:00 deri kur të largohet votuesi i fundit.