Aktualitet

Himara drejt zgjedhjeve të reja, sot vendos KQZ-ja!

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot vendos lidhur me zgjedhjet e parakohshme për kryebashkiak të Himarës. Në projektvendimin e hartuar nga KQZ-ja, vlerësohet se Fredi Beleri i zgjedhur Kryetar i Bashkisë Himarë nuk mund të ushtrojë këtë detyrë për shkak të ndalimit që vjen nga ligji 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Në projektvendim thuhet se “pas shkresave që i janë nisur GJKKO-së nga KQZ-ja, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me shkresën nr.933/1 prot, datë 1.07.2024, ka dërguar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve shkurtimin e vendimit penal nr. 26, datë 25.06.2024, dhënë në ngarkim të z.Dhionisios (Alfred) Petro Beleri”.

Sipas këtij vendimi të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është vendosur lënia në fuqi e vendimit nr. 14, datë 05.03.2024 e Gjykatës së Posacme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, sipas së cilës është vendosur: “Deklarimi fajtor i të pandehurve Pandeli Kokaveshi dhe Dhionisios (Alfred) Beleri, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim.

Në nenin 2 pika 1 shkronja “b” e ligjit 138/2015 “ Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, përcaktohet se vepra penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328 i K.Penal hyn në kategorinë e veprave penale, për kryerjen e të cilave persona të caktuar nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie, etj. Në nenin 10, pika 1, shkronja “ç”, të ligjit nr. 138/2015, përcaktohet se KQZ brenda kompetencave të veta, “…shpall pavlefshmërinë e mandatit kur kushtet e moskandidimit dhe moszgjedhshmërisë verifikohen pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve, në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe para fillimit të ushtrimit të mandatit nga personi i shpallur i zgjedhur në kundërshtim me këtë nen, si dhe shpall mandatin, në përputhje me Kodin Zgjedhor…”.

Njoftimi: 

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve zhvillon seancë publike ditën e Enjte, datë 04.07.2024, ora 11:00 me këtë rend dite:

Çështje për shqyrtim rishtas:

1. Projektvendim “Për shqyrtimin e vlefshmërisë së mandatit të Kryetarit të Bashkisë Himarë, z. Dhionisios (Alfred) Petro Beleri, i propozuar nga subjekti zgjedhor Koalicioni “Bashkë Fitojmë”, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”.

2. Projektvendim “Për shqyrtimin e rezultatit të verifikimit të Prokurorit të Përgjithshëm, për subjektin vetëdeklarues z. Gentjan Fiqiri Muça anëtar në Këshillin e Bashkisë Tiranë, i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Demokratike e Shqipërisë”, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”.

3. Projektvendim “Për plotësimin e vakancës në Këshillin e Bashkisë Vau-Dejës, me kandidatin nga lista shumemërore e subjektit zgjedhor Partia Socialiste e Shqipërisë, zj. Sanilje Reshit Salja”.

4. Projektvendim “Për disa ndryshime në udhëzimin nr. 14, datë 9 qershor 2021, të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, “Për caktimin e kritereve, procedurat për përzgjedhjen dhe emërimin e ekspertëve kontabël të licensuar (audituesve ligjorë) dhe kushtet kontraktuale për auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga partitë politike gjatë vitit kalendarik dhe subjektet zgjedhore dhe kandidatët e tyre në fushatën zgjedhore”, i ndryshuar”.