Një sasi lënde plasëse shpërtheu në orët e para të mëngjesit të sotëm në një banesë në lagjen “Tre Heronjtë’ në Shkodër.
Shpërthimi ka ndodhur në derën e banesë së Ardian Fierzës, të cilit dyshohet se edhe në muajin gusht iu vu eksploziv te biznesi i tij, një agjenci funerale.
Policia thotë se si pasojë e shpërthimit të tritolit ka vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon veprimet për sigurimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit.
Më 29 gusht 2024, një sasi eksplozivi u vu tek dera e agjencisë funerale në pronësi të Flora Fierza, e cila sapo ishte hapur. Edhe atëherë shpërthimi nuk shkaktoi viktima por vetëm dëme materiale. Mediat publikuan dhe pamjet e momentit kur një person i maskuar afrohet dhe i vendos lëndën plasëse tek dera, si dhe dëmet që kishte shkaktuar shpërthimi në biznes.
Dy ditë më pas policia shpalli në kërkim një 35-vjeçar si autor i vendosjes së tritolit. Policia e Shkodrës informoi se shkak për vendosjen e tritolit ishte bërë një borxh që pronarët e agjencisë funerale nuk i kishin shlyer 35-vjeçarit B.P. I riu, sipas bluve të Shkodrës, rezulton me precedent penal për armëmbajtje pa leje.
Njoftimi i plotë:
Në lagjen “Tre Heronjtë”, në derën e banesës së shtetasit A. F., në orët e para të mëngjesit nga persona ende të paidentifikuar është hedhur lëndë plasëse.
Si pasojë ka vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon veprimet për sigurimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.