Bota

Hezbollahu sulmon me raketa Izraelin verior!

Grupi militant islamik Hezbollah raportoi se ka lëshuar raketa të shumta në Izrael, nga territori i Libanit. “Sulmi shënjestroi objektiva të ndryshëm në Izraelin verior”, sipas një deklarate të shpërndarë në Bejrut nga grupi militant, i cili është aleat me Iranin.

Ushtria izraelite tha se alarmet për sulm ajror u lëshuan në Kiryat Shmona, Manara e Kerem Ben Zimra, si dhe në vende të tjera të paspecifikuara pranë kufirit me Libanin. Fillimisht nuk u dhanë informacione për viktima apo dëme. Pretendimet nga të dyja palët nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Hezbollahu ka qëlluar kundër Izraelit gjatë vitit të kaluar në atë që ata e përshkruajnë si “solidaritet” me Hamasin në Rripin e Gazës. Izraeli bën luftë kundër grupit islamik palestinez Hamas në Gaza që nga sulmet terroriste të udhëhequra nga Hamasi në Izraelin jugor më 7 tetor të vitit të kaluar.

Izraeli në javët e kaluara ka intensifikuar ndjeshëm goditjet ajrore kundër Hezbollahut në Liban, duke vrarë lidershipin e milicisë dhe duke nisur një ofensivë tokësore. Sipas ushtrisë izraelite, një tjetër komandant i rangut të lartë të Hezbollahut u vra dje në një sulm ajror në Bejrut.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu rikonfirmoi vendosmërinë e Izraelit për të luftuar. Në një videomesazh, ai deklaroi:

Së bashku, ne do të vazhdojmë të luftojmë dhe së bashku do të triumfojmë.

Netanyahu foli gjatë një ceremonie në Ofakim, pranë Rripit të Gazës, ku një vit më parë u vranë 40 persona. Ndërkaq, deklaroi se 7 tetori i vitit 2023, kur lëvizja islamike palestineze Hamas dhe ekstremistët e tjerë vranë rreth 1 mijë e 200 njerëz në Izrael e rrëmbyen afro 250 duke i çuar në Rripin e Gazës, ishte një ditë vuajtjesh të papërshkrueshme për vendin.

Politikani konservator theksoi se izraelitët u bashkuan për mbrojtjen e shtetit hebre.

Ne i kemi vendosur objektivat e luftës dhe po i arrijmë ato.

Ndër të tjera deklaroi se këto objektiva ishin që të shpërbënin sundimin e Hamasit, të kthenin të gjitha pengjet në shtëpi, të bënin të pamundur ndaj çdo kërcënimi të ardhshëm nga Rripi i Gazës e të siguronin kthimin e sigurt të banorëve nga jugu dhe veriu për në shtëpitë e tyre.

Por, pas një viti luftë me afro 42 mijë të vdekur në Rripin e Gazës, si dhe rritjes së kritikave ndërkombëtare për veprimet e ashpra të Izraelit në brezin bregdetar, së fundmi edhe në Liban, asnjë nga objektivat e luftës të përmendura nga Netanyahu nuk janë arritur plotësisht deri më tani.