Bota

Hezbollahu sulmon me raketa Izraelin qendror!

Hezbollahu godet me breshëri raketash Izraelin qendror duke nxitur aktivizimin e sirenave paralajmëruese për sulme ajrore në shumicën e pjesëve të banuara në shtetin hebraik. Por sulmet e grupit militant, njëherazi parti politike që kontrollon shumicën e Libanit jugor duket se nuk kanë shkaktuar viktima apo dëme.

Ushtria izraelite njoftoi se pesë predha u lëshuan nga Libani drejt Izraelit, duke shtuar se “shumica e tyre u pengua nga sistemet e mbrojtjes ajrore të Izraelit”. Ndërkaq, një raketë ra në një hapësirë të pabanuar. Izraeli shtoi se në të njëjtën kohë, rreth 15 predha u lëshuan nga Libani drejt veriut të Izraelit.

Hezbollahu u shpall organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e pjesërisht nga Bashkimi Europian që në listën e zezë ka vetëm krahun ushtarak të grupit, por jo partinë politike. Partia e Hezbollahut ka një vend në Parlamentin libanez.

Sot në një njoftim, Hezbollah tha se ka lëshuar raketa ndaj dy bazave kyçe në afërsi të Tel Avivit e një baze detare në perëndim të Haifës. Të tilla sulme vijnë në kohën kur Izraeli ka intensifikuar bombardimet në Liban, duke shënjestruar institucionet financiare që udhëhiqen nga Hezbollahu dhe teksa Amerika po tenton të rinisë bisedimet për armëpushim në Gaza.

Kjo pas vrasjes së Yahya Sinwar-it, liderit të Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, si dhe Bashkimi Europian. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu është zotuar ta zhdukë Hamasin e do të kthejë dhjetëra pengje që mbahen nga grupi radikal.

Hamasi ka deklaruar se pengjet do të lirohen vetëm kur të arrihet një armëpushim afatgjatë dhe kur Izraeli të tërhiqet plotësisht nga Gaza e po ashtu të lirohen të burgosurit palestinezë. Lufta në Gaza nisi pasi Hamasi vrau rreth 1 mijë e 200 persona dhe rrëmbeu afro 250 të tjerë gjatë sulmit të 7 tetorit 2023. Që nga ajo kohë, si pasojë e ofensivës izraelite, në Gaza janë vrarë më shumë se 42 mijë palestinezë.

Që nga nisja e luftës në Gaza, Izraeli dhe Hezbollahu kanë shkëmbyer zjarr në kufi mbi baza ditore. Por, në fillim të tetorit situata u përshkallëzua dhe Izraeli njoftoi për nisjen e një operacioni tokësor në jug të Libanit kundër Hezbollahut.