Bota

Hezbollahu konfirmon: Lideri Nasrallah u vra nga Izraeli!

Hezbollahu konfirmoi sot se lideri i tij, Hassan Nasrallah mbeti i vrarë dje gjatë sulmeve masive izraelite në Bejrut.

Sayyed Hassan Nsarallah, sekretari i përgjithshëm i Hezbollahut, u është bashkuar bashkëluftëtarëve të vet të mëdhenj dhe martirë, të cilët i udhëhoqi për rreth 30 vjet, njoftoi grupi militant pro-iranian në një komunikatë zyrtare.

Hezbollahu është zotuar se do ta vazhdojë luftën kundër Izraelit, pavarësisht vdekjes së liderit. Më herët sot, ushtria izraelite raportoi se e kishte vrarë Hassan Nasrallahun, liderin e grupit libanez të shpallur ogranizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ushtria bëri të ditur se e kreu një sulm ajror preçiz në selinë qendrore të Hezbollahut në Dahieh, ku ishin mbledhur liderët e Hezbollahut.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite në gjuhën arabe, Avichay Adraee, deklaroi në X se Nasrallahu, Ali Karki, komandant i Frontit Jugor të Hezbollahut, si dhe një numër drejtuesish të tjerë janë vrarë.

Mesazhi është i qartë: kush kërcënon qytetarët e Izraelit në veri, në jug dhe nga largësia nuk mund të na ikë.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit postuan një mesazh në X, ku theksuan se “Hassan Nasrallahu nuk do të jetë më në gjendje ta terrorizojë botën”. Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Europian thjesht e ka vendosur në listën e zezë, krahun e tij të armatosur, por jo partinë e tij politike. Partia politike e Hezbollahut ka një vend në Parlamentin libanez.

Norman Roule, analist nga Instituti Kombëtar i Sigurisë me bazë në Uashington, u shpreh se Izraeli e ka dobësuar Hezbollahun aq shumë sa qeveria libaneze mund ta shuajë këtë grup. Dje, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi në Kombet e Bashkuara se sulmet kundër Hezbollahut nuk do të ndalen.

Dje gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kryeministri Benjamin Netanyahu i dha një paralajmërim të ashpër armikut të tij të vjetër, Iranit, duke thënë se “nuk ka vend në Iran ku Izraeli nuk mund të arrijë”, nëse Republika Islamike vazhdon të përpiqet ta sulmojë shtetin hebraik.

Ne do të vazhdojmë që të dobësojmë Hezbollahun deri sa t’i përmbushim të gjitha synimet tona.