Tensionet mes Izraelit dhe Hezbollahut janë ashpërsuar ndjeshëm së fundi aq sa grupi militant ne Liban i cili mbështetet nga Irani e kërcënoi hapur shtetin hebre për zgjerim të konfliktit.
Në Izrael nuk do të ketë asnjë vend të sigurt nëse nis luftë me ne, paralajmëroi kreu i grupit, Hassan Nasrallah.
“Kemi një gamë objektivash të cilat do t`i nënshtrohen goditjeve të sakta, nëse luftimet e herëpashershme shndërrohen në një konflikt më të gjerë. Nuk do të ketë vend të sigurt nga raketat dhe dronët tanë në Izrael’-u shpreh Hassan Nasrallah, udhëheqës i Hezbollahut.
Nasrallah i bëri këto komente pas takimit që një i dërguar i SHBA-së zhvilloi me zyrtarë libanezë në një tentativë të fundit për shtensionimin e situatës.
Të martën, Hezbollahu publikoi ato që ai tha se ishin pamjet e regjistruara me dron të zonave “të ndjeshme” thellë brenda Izraelit. Nasrallah pretendon se tani kanë armë të reja. “Por unë nuk do të them se çfarë armësh janë ato. …Armiku e di mirë se ne jemi përgatitur për më të keqen … dhe se asnjë vend … nuk do të kursehet nga raketat tona”, u shpreh ai.
Shef i shtabit të Forcave izraelite të Mbrojtjes, gjenerallejtënant Herzi Halevi, pohoi se Izraeli është i vetëdijshëm për armët e Hezbollahut, por i kujtoi grupit militant se njeh vetëm një pjesë të vogël të mundësive të shtetit hebre dhe t’i shohë ato të plota në kohën e duhur”. Izraeli dhe Hezbollahu, një aleat i Hamasit, kanë shkëmbyer sulme që nga tetori, kur shpërtheu lufta në Gaza.
Në tetë muaj, më shumë se 400 njerëz janë vrarë në Liban, kryesisht luftëtarë të Hezbollahut, por edhe të paktën 80 civilë. Në Izrael, 16 ushtarë dhe 11 civilë janë vrarë gjatë luftimeve.