Hezbollah, grupi libanez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara ka goditur veriun e Izraelit me 140 raketa sot, siç njoftuan ushtria izraelite dhe grupi militant. Ky sulm u krye një ditë pasi lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, u zotua për hakmarrje ndaj Izraelit për shpërthimet vdekjeprurëse të pajisjeve të telekomunikimit në Liban këtë javë.
Ushtria izraelite vuri në dukje se kishte tri valë sulmesh me raketa sot pasdite dhe se shënjestër e tyre ishin zonat përgjatë kufirit të rrënuar me Libanin. Hezbollahu deklaroi se goditi disa zona përgjatë kufirit me Izraelin duke përdorur raketa Katyusha, si dhe bazat e mbrojtjes ajrore dhe selinë e një brigade të blinduar izraelite.
Grupi militant shtoi se sulmi raketor ishte hakmarrje për sulmet e Izraelit në fshatra dhe shtëpi në jug të Libanit.
Hezbollahu edhe Izraeli kanë shkëmbyer zjarr pothuajse çdo ditë prej 8 tetorit, një ditë pasi nisi lufta mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian.
Por, sulmi sot me raketa ishte më i madh se zakonisht. Nasrallah u zotua dje për vazhdimin e sulmeve të përditshme ndaj Izraelit, pavarësisht goditjes vdekjeprurëse të kësaj jave në pajisjet e komunikimit të anëtarëve të grupit.
37 njerëz u vranë dhe më shumë se 3.000 të tjerë u plagosën kur shpërthyen së pari pejxherët dhe pastaj radiolidhjet e përdorura nga anëtarët e Hezbollahut në dy valë sulmesh të martën dhe të mërkurën. Libani dhe Hezbollahu e akuzojnë Izraelin për kryerjen e këtyre sulmeve, por Izraeli nuk ka pranuar e as mohuar përfshirjen.
Izraeli nuk ndalet e konfirmoi sot se ka goditur qindra objektiva në Liban, disa orë pasi lideri i Hezbollahut, grupit libanez të shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara, mbajti një fjalim duke u zotuar për hakmarrje.
Izraeli nuk ka komentuar për shpërthimin e mijëra pejxherëve dhe radiolidhjeve të Hezbollahut, por Hezbollahu nuk ka dyshime se janë vepër e shtetit hebraik.
Në fjalimin e tij, shefi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, synoi të theksonte dy qëllime kryesore: forcimin e moralit të Hezbollahut dhe mbajtjen e presionit psikologjik ndaj Izraelit. Edhe pse e pranoi se shpërthimet e pajisjeve të komunikimit të grupit përbënin një kthim pas, sulmet vdekjeprurëse i përshkroi si pengesë të përkohshme në konfliktin më të gjerë me armikun.
Po ashtu, foli për unitetin e Libanit në përgjigje të shpërthimeve e pretendoi se sulmi dështoi të arrinte qëllimet.
Në përgjithësi, retorika e Nasrallahut sinjalizoi se udhëheqësi i Hezbollahut ka pak të ngjarë që të ndryshojë kursin pavarësisht pengesave të fundit dhe do të vazhdojë me gjendjen aktuale të konfliktit me intensitet të ulët me Izraelin.