Hezbollahu sulmoi me raketa qytetin e tretë më të madh të Izraelit, Haifa. 10 persona u plagosën në veri nga sulmet në përvjetorin e parë të luftës në Rripin e Gazës e që është përhapur në Lindjen e Mesme. Grupi militant pro-iranian e aleat i Hamasit, me bazë në Liban, konfirmoi se sulmoi një bazë ushtarake në jug të Haifës me një breshëri raketash “Fadi 1”. Hezbollahu, i cili kontrollon Libanin jugor është shpallur organizatë terroriste nga SHBA-të, ndërsa BE-ja e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo partinë politike.
Mediat izraelite raportuan se dy raketa ranë në bregdetin mesdhetar të Haifës ndërsa pesë të tjera goditën Tiberiasin, rreth 65 kilometra larg. Policia bëri të ditur se disa ndërtesa e prona janë dëmtuar dhe u raportua për disa të plagosur lehtë. Ushtria izraelite deklaroi se avionët e saj luftarakë goditën objektiva që i përkisnin Selisë së Inteligjencës së Hezbollahut në Bejrut, përfshirë mjete për grumbullimin e informatave, qendra komanduese e të tjera.
Ushtria izraelite tha se orët e fundit bombardoi depot e armëve të Hezbollahut në zonën e Bejrutit. Sulmet ajrore goditën gjithashtu objektiva të Hezbollahut në Libanin e jugut e në zonën e Bekës.
Izraeli fajësoi Hezbollahun se qëllimisht ka vendosur qendrat e komandës dhe ka fshehur armatimin nën objektet e banimit në zemër të kryeqytetit Bejrut, duke rrezikuar kështu popullsinë civile. Kujtojmë se sot izraelitët shënojnë përvjetorin e parë të sulmit vdekjeprurës që Hamasi kreu në jug të Izraelit dhe ishte ai sulmi që shkaktoi një luftë, e cila ka nxitur protesta në mbarë botën e rrezikon të ndezë një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme.
Ceremonitë dhe protestat në Jerusalem e në jug të Izraelit u planifikuan të fillonin më 06:29 të mëngjesit, në momentin kur militantët e udhëhequr nga Hamasi nisën raketa drejt Izraelit në fillim të sulmit të 7 tetorit të vitit të kaluar. Militantët vranë rreth 1.200 persona e rrëmbyen mbi 250 pengje, sipas autoriteteve izraelite.
Izraeli u përgjigj duke nisur sulme ajrore e tokësore në Gaza, të cilat e kanë rrafshuar shumicën e kësaj enklave dhe kanë vrarë mbi 42.000 palestinezë, referuar Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, që udhëhiqet nga Hamasi.