Sot në punimet e Komisionit hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit e të Check-Up në Shëndetësi, nuk u paraqitën pesë nga personat e thirrur për të dëshmuar. Tre shtetas italianë, aksionerë në kompanitë e sterilizimit, për të tretën herë radhazi refuzuan pjesëmarrjen, duke argumentuar se për shkak të angazhimeve personale e të punës, nuk kanë mundësi të dëshmojnë. Albana Vokshi, kryetarja demokrate e këtij komisioni:
Umbro Staccini, Elisabetta Anzanello dhe Giorgio Tardioli u përgjigjën me e-mail se për shkak të angazhimeve personale e të punës në Itali e jashtë Shqipërisë, si edhe kohës së shkurtër të njoftimit, (i kemi thirrur tre herë) e kanë të pamundur të organizojnë udhëtimin drejt Shqipërisë. Eshtë hera e tretë që refuzojnë. Dëshmia e tre shtetasve është kyçe për hetimin parlamentar. Janë jo vetëm aksionet në koncesionin e sterilizimit. Dy prej tyre kanë marrë edhe miliona lekë me konsulencë private. Kanë dhe kompani nënkontraktuese. Marrin paratë e shqiptarëve nga të gjitha xhepat. Ligji parashikon thirrjen e tyre duke njoftuar policinë dhe policia të sigurojë praninë e tyre në komision.
Nënkryetari socialist i Komisionit të Posaçëm të Sterilizimit, Plarent Ndreca u shpreh se komisioni nuk mund të paragjykojë gjendjen shëndetësore të personave që duhen thirrur në komision.
Dëshmitarët italianë që kanë paraqitur arsyet, kanë të drejtën të bëjnë aktivitetet e tyre private, pasi nuk kanë përgjegjësi të njëjtë juridike para shtetit shqiptar. Nuk kam asgjë që të përdoret çdo instrument që ka në dorë komisioni, për t’i bërë të mundur që ata të jenë prezentë.
Nuk mund t’i thërrasim me polici, sepse ata nuk kanë thënë që nuk duam të vijmë por kanë sjellë arsye ligjore pse nuk mund të jenë prezentë. Mos të bëjmë spektakël kot kur nuk është e nevojshme. Sa i përket Vilma Nushit, qenka kontributore e PS-së, prandaj duhet të jetë këtu…T’u bëjmë gjyqin njerëzve që u përmendim emrin pa kriter, i paragjykojmë, ne nuk jemi prokurori, jemi për të parë një aspekt të qeverisë koncesionare, që bëhet fjalë për dy kontrata koncesionare.
Deputeti i PD-së, Edmod Spaho kërkoi që komisioni të mos i mbyllë punimet pa dëshmitë kyçe sipas tij, të biznesmenes Vilma Nushi dhe kryeministrit Edi Rama.
S’mund të mbyllim këtë komision pa deponimet e Vilma Nushit e Ramës. Koncesionet janë dhënë me firmën e kryeministrit dhe pa dëgjuar përfituesen kryesore të koncesionit të Check Up-it, Vila Nushi nuk mund të mbyllim këtë komision. Të enjten të kërkojmë shtyrjen e punimeve.
Lidhur me këtë pretendim, deputetja socialiste, Edona Bilali, u shpreh se “komisioni nuk mund të vijojë pafundësisht me shtyrje”.
Nëse vijojmë me shtyrje, krijojmë një precedent jo të mirë, duke lënë të kuptohet se komisioni nuk ka patur efikasitet në punën e tij. Mendoj se duhet ta mbyllim në kohën e parashikuar. Biznesmenët s’mund të thirren e hetohen në Kuvend, pasi nëse japim këtë shembull, krijohet një mjedis jo i qetë për operimin e tyre.
Sipas Bilalit, komisioni i zgjati punimet pasi opozita vendosi të mos merrte pjesë në punime duke djegur karriget.
Ne duhet ta kishim mbyllur punën e këtij komisioni por ju zgjodhët të largoheni nga komisioni dhe të ndiqni një rrugë tjetër.