Komisioni hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-Up në Shëndetësi u zhvillua sot sërish mes debatesh e replikash nga përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës, ndërsa mbledhja u shty pas kërkesës së kryetares së Komisionit. Kryetarja e komisionit, deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, bëri me dije se i ka dërguar një shkresë kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali ku i ka kërkuar zëvendësimin e Plarent Ndrecës i cili mban postin e zv/kryetarit si dhe prezencën e 5 deputetëve të përjashtuar nga radhët e opozitës, pas kaosit të zhvilluar në Kuvend.
I kemi dërguar një shkresë kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali me firmat e deputetëve të PD, i kemi kërkuar pasi i kemi shpjeguar shkeljet e panumërta të bëra nga ana e deputetëve të këtij komisioni. I kemi kërkuar zëvendësimin e zëvendëskryetarit dhe sekretarit të Komisionit Hetimor dhe të paralajmërojë 6 deputetët e tjerë të mayhorancës për detzrimet e tyre ligjore si anëtar të Komisionit Hetimor.
Kërkojmë që 5 deputetët e përjashtuar të opozitës të jenë prezent deri në fund të komisionit. Nuk mund të funksionojë me rregulla si komisionet e përhershme një komision që ka një afat të përkohshëm. Kemi bërë kërkesë për përjashtimin e deputetëve dhunues, kemi përgatitur dhe kallëzim penal për këdo që ka penguar hetimin parlamentar dhe funksionimin normal të këtij komisioni hetimor.
Vokshi kërkoi që mbledhja të mos zhvillohet, deri në ardhjen e një përgjigjeje nga kryetarja e Kuvendit. Vokshi tha më tej se javën që vjen të vijohet me planifikimin e mbledhjeve si dhe riplanifikimin e marrjes në pyetje të dëshmitarëve. Por propozimi i kryetares së Komisionit, hasi fillimisht në kundërshtime nga radhët e mazhorancës, të cilët kërkuan kohë që të njihen me kërkesën e opozitës.
Ju bëtë një kërkesë, por kërkesa nuk na është dërguar ne. Mendoj të na japësh kohë ta lexojmë kërkesën nëse vlerësohet nga kolegët se ka lidhje me punën e komisionit e marrim vendimin pas 10 minutash.
Pas disa minutash pushim dhe rikthimit të mbledhjes, zëvendëskryetari i Komisionit, Plarent Ndreca, bëri me dije se është dakordësuar me kërkesën e opozitës për mbylljen e mbledhjes për ditën e sotme.
Ne nuk duam të bëjmë komision pa kolegët e opozitës, por me shkulje mikrofonash nuk i bëhet presion mazhorancës dhe punës së parlamentit. Opozita ka qene dhe është e ftuar të jetë në mbledhjet e komisionit ku nuk e pengon asgjë të marri pjesë, përveç vendimeve partiake të tyre.
Në mbledhjen e sotme ishte parashikuar në rendin e ditës miratimi i procesverbaleve të datave 17, 20, 23, 24 dhe 30 shtator 2024 si dhe thirrja e dëshmitarëve Mimoza Dhëmbi, Reida Kashta, Alma Hiçka, Rovena Beqiraj.