Seanca plenare e Kuvendit është përfshirë nga debate lidhur me Komisionin Hetimor të Shëndetësisë. Deputetët demokratë kërkojnë zgjatjen e afatit të tij. Po ashtu, kryetari i grupit, Gazment Bardhi kërkoi të merren masa për atë që e quajti “kërcënim nga Ilir Beqaj”.
Merrni masa që një kriminel në burg i ka bërë deputetëve në mjediset e Kuvendit. Lejoni funksionimin normal të komisionit hetimor!
Fillimisht, opozita akuzoi Ilir Beqajn duke iu referuar si “hajduti dy metra”. Ndërhyri kryeparlamentarja Elisa Spiropali duke iu kërkuar kolegëve, të mos fyenin. Teksa kërkoi 3 javë shtyrje për komisionin, Bardhi përsëriti akuzat drejtuar Beqajt si “hajdut” dhe shtoi:
Guxoi të kërcënonte anëtarët e komisionit, deputetët e opozitës.
Po ashtu shprehu kërkesë lidhur me hetimin e këtij rasti, si edhe përsëriti thirrjen për shtyrjen e afatit, një javë për planin hetimor dhe dëshmitë e dy javë për përgatitjen e raportit.
Sot raporti duhet të vinte në seancë plenare por ju nuk e lejuat.
Kryetarja e Kuvendit, Spiropali kujtoi se afati ishte shtyrë dy herë dhe akuzoi opozitën se e zvarriti duke “mos e lejuar dëshmitarin që të fliste”.
Bardhi iu përgjigj:
Spiropali po shqetësohet se ka hall se hajduti dy metra është Rama por jo, e kishim për Ilir Beqajn, jo për kryeministrin.
Për të njëjtën çështje pati replika Noka-Spiropali:
Noka: I burgosur për vjedhje guxon të sulmojë Kuvendin e Shqipërisë, deputetët e Komisionit Hetimor të Shëndetësisë. Në vend të japë llogari, ishte i thirrur në betim.
Spiropali: Çdo njeri ka të drejtën e dinjitetit, mos përmendni!
Noka: Zonjë, një hajdut, 2 metra i gjatë ka vetëm dinjitetin e hajdutit.
Spiropali: Ju tërheq vëmendjen. Nuk është procedurë kjo.
Noka: Ajo sjellje tregon qasjen tuaj për të mbrojtur hajdutët. Të njëjtët gjë që bëtë me Olta Xhaçkën, me Frida Krifcën. Megjithëse i burgosur u përpoqët të tjetërsoni. Shkelni çdo normë. Komandanti i Gardës duhet të mbajë përgjegjësi. Mbrëmë pa asnjë punonjës Garde në sallën ku zhvillohej komisioni, hajduti 2 metra bashkë me avokatin guxonin të intimidonin deputetët. Edhe ju në sallën e Kuvendit keni urdhëruar Gardën
Spiropali: Zoti Noka përfundoni, edhe pse nuk ishte për procedurë. Nuk ka penguar kush hetimin.