Aktualitet

Hetimi për “Wisdom”, ish-rektori: Denoncova skandalin e më falsifikuan firmën, askush nuk reagoi!

Me zbulimin e skemës së shitjes së diplomave false nga universiteti privat Wisdom nga drejtësia Italiane, Prokuroria e Tiranës  njofton nisjen e hetimeve.

Mirëpo ish-rektori i kolegjit, Lush Përpali, i dorëhequr për shkeljet ligjore të hasura në këtë institucion arsimor në dhjetor të 2023, në një intervistë për Top Channel tregon se ka denoncuar skandalin më herët, para se të bëhej publik, duke ngritur një padi të përbashkët me akademikun Bajram Hysa.

“Më 1 korrik jam thirrur në prokurori. Kam deponuar që ka diploma false, pastaj kam bërë vetë edhe në 15 korrik kallëzim, ku kam vënë në dijeni edhe kryeprokurorin”, tha Përpali.

Top Channel mëson se lëvizja e parë e ndërmarrë pas dyshimeve për vërtetësinë e diplomave të universitetit Wisdom është kryer nga ambasada italiane në Shqipëri, që i drejtohet ministrisë së Arsimit, e cila ja pason për verifikim kolegjit privat. Ky është dokumenti ekskluziv ku ambasada kërkon informacion nëse kishte vlerë ligjore program i masterit të edukimit special në Wisdom.

“Dhe përgjigja ishte që ky program as nuk është bërë as nuk bëhet. Nuk e di ku i kanë bërë pazaret pronarët, ne ata studentë nuk i kemi njohur. Që nga formati i diplomës, ishte qesharak,  një fletë formati me nota 9-10, po kush i vendosi këto nota? Nuk është bërë program kurrë dhe unë nuk kam firmosur. Më kanë bërë me stampë”, tha ish-rektori.

Falsifikimi i firmës së profesorit Përpali nuk është realizuar vetëm nga ky institucion arsimor privat ku ka qenë i punësuar, por skandali thellohet më tej pasi emri i tij është përdorur edhe nga zyra noteriale për të legalizuar këto certifikata të pavlefshme.

“Noterja ka deklaruar se unë kam qenë prezent për të legalizuar diplomën e filanit, pa qenë asnjëherë aty. Dhe e bënte këtë që të merrnin vulën apustile në ministrinë e Jashtme”, shtoi Përpali.