Aktualitet Politikë

Hetimi për 21 janarin, Ilir Meta fajëson Lulzim Bashën: Është përgjegjësi për ngjarjen!

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka deklaruar sot se Lulzim Basha, ish-ministri i Brendshëm i Qeverisë Berisha është personi përgjegjës për ngjarjet e 21 janarit, ku u vranë 4 protestues në bulevard.

Nga selia e PL, Ilir Meta është shprehur se Basha asokohe nuk ka marrë asnjë masë edhe pse ishte paralajmëruar se do të kishte gjakderdhje.

“ Drejtësia me regji hap 21 Janarin dhe gjen ditën sot për të ndaluar diskreditimin e Dum Dumanit seancën e kaluar në Kuvend. SPAK kërkon të mbajë në presion liderin e PD dhe opozitën e vërtetë ndaj regjimit të narko-trafikantit Rama, sepse është e qartë që nëse ka përgjegjësi në 21 Janar, është e Lulzim Bashës, i cili është paralajmëruar për gjakderdhjen që pritej nga banditët e Ramës. E ka pasur të shkruar skenarin dhe nuk ka marrë asnjë masë për parandalimin e vrasjeve të shëmtuara që ndodhën në bulevard.”, tha ai.

Më herët, Rajmonda Nika, gruaja e Aleks Nikës, një nga 4 protestuesit e vrarë më ’21 janar’, ka dëshmuar për më shumë se 3 orë në SPAK, me shpresën për të vënë drejtësinë në vend për humbjen e jetës së bashkëshortit të saj. “Dhashë sqarime dhe disa fakte të reja” tha ajo pasi doli nga SPAK.

Aleks Nika është një nga 4 viktimat që humbën jetën nga plumbat e dala nga godina e kryeministrisë, ngjarje e cila pas vendimit të Gjykatës së Lartë po hetohet tashmë nga Prokuroria e Posaçme, SPAK.

Ishte gjykata e Lartë ajo që urdhëroi prokurorinë e posaçme ta regjistrojë procedimin, si një detyrim që rrjedh edhe nga vendimin i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Familja e Nikës prej më shumë se një dekade kërkon drejtësi për vrasjen e djalit të tyre dhe tashmë SPAK pritet të zbardhë të vërtetën e asaj ngjarje dhe rolin e kupolës më të lartë shtetërore.