Bota

Hetim mesazheve raciste dërguar afro-amerikanëve!

Autoritetet federale dhe shtetërore po hetojnë mesazhet raciste të dërguara në mënyrë anonime në celularët e afro-amerikanëve në të gjithë vendin këtë javë e ku iu thuhej se duhet të skllavërohen, duke ngjallur zemëratë dhe kritika. Grupi i të drejtave civile NAACP tha se mesazhet iu kërkonin personave në Alabama, Karolinën e Veriut, Pensilvani dhe Virxhinia, të paraqiten në një plantacion për të mbledhur pambuk, një referencë fyese për skllavërinë që u është bërë në të kaluarën afro-amerikanëve në Shtetet e Bashkuara.

Mbetet e paqartë se cilët individë apo subjekte fshiheshin pas mesazheve të raportuara apo se sa vetë i morën ato. Njerëzit në të paktën 21 shtete u përballën me mesazhe të tilla, përfshirë nxënës të shkollave të mesme dhe studentë të universiteteve, siç raportuan kanali televiziv CNN dhe agjencia e lajmeve Associated Press.

Këto veprime nuk janë normale. Dhe ne refuzojmë t’i lejojmë të pranohen si normë, tha presidenti i NAACP-së, Derrick Johnson në një deklaratë nga organizata e të drejtave civile, që mbron drejtësinë mbi bazë racore e të drejtat për afro-amerikanët. Këto mesazhe përfaqësojnë një rritje alarmante të retorikës së urrejtjes nga grupet raciste në të gjithë vendin.

Shumë në komunitetet e afrikano-amerikanëve thonë se parashikojnë një kthim prapa të të drejtave civile pasi republikani Donald Trump, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale të së martës ndaj demokrates Kamala Harris do të marrë detyrën më 20 janar 2025. Trump u zotua t’i japë fund programeve federale të diversitetit dhe përfshirjes.

Fushata e presidentit Trump nuk ka absolutisht asnjë lidhje me këto mesazhe në celularë, tha zëdhënësja e tij Karoline Leavitt në një deklaratë.

Një anketim i bërë nga firma Edison Research në ditën e zgjedhjeve tregoi se Harris fitoi 85% të votave të personave me ngjyrë në mbarë vendin ndërsa Trump 13%, 1 pikë përqindje më shumë nga një anketim në vitin 2020 kur ai humbi zgjedhjet presidenciale përballë Joe Biden-it.

Ne i dënojmë fuqishëm këto mesazhe urrejtjeje dhe këdo që sulmon amerikanët bazuar në përkatësinë e tyre etnike ose prejardhjen” tha Robyn Patterson, një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë. Racizmi nuk ka vend në vendin tonë. Pikë.

Komisioni Federal i Komunikimeve është ndër agjencitë që po heton incidentet.