Ka disa arsye pse filmi i 11 viteve më parë është kthyer në vëmendjen e publikut dhe vetëm njëra prej tyre është çështja gjyqësore që zëri i personazhit të sistemit operativ në krijimin e Spike Jonze, Scarlett Johansson, ka kundër Open AI/Chat GPT, të cilët kanë përdorur pikërisht zërin e saj, apo duhet të them Samantës (kështu quhet personazhi që interpreton) për zërin që i flet ndërvepruesit që përdor inteligjencën artificiale në sistemin e tyre (Një lloj Alekse apo Siri shumë më njerëzore). (Kjo nuk është hera e parë, e me siguri as e fundit, në një seri plagjiaturash, të cilat kanë bërë që shumë shtete të ndalojnë përdorimin e Inteligjencës Artificiale)
Historia që dukej disi absurde dhe e largët 11 vite më parë, në fakt nuk mund të ishte më aktuale. Shkëputja jonë si shoqëri nga njëri tjetri, drejt sitemeve të ngjashme me ato të filmit është çdo ditë e më e madhe, që e bën realitetin pak të thuash intimidues. E ndërsa Inteligjenca Artificiale po përdoret në masë, duke u bërë shpesh objekt i diskutimeve, etike, morale dhe ligjore, 2 javë më parë dëgjoja në Top Albania Radio për Miss Influenceren e Inteligjencës Artificiale, pra krijesa të kësaj të fundit që ndikonin përmes llogarive në rrjetet sociale të vdekshmit e zakonshëm, ne…Petri Bozo shpejt, do të ngelë pa punë…
Jonze e ngjizi idenë në fillim të viteve 2000, pasi lexoi një artikull i cili thosh se ajo që ndodh në film, në të ardhmen do të ishte e mundur. As atij vetë s’ia kish pritur mendja që kjo do të ndodhte kaq shpejt.
I vlerësuar fuqishëm nga kritika dhe shikuesit, me 5 kandidatura për Oscar dhe shumë çmime të tjera ky konsiderohet të jetë një nga 100 filmat më të mirë të mbas viteve 2000, e një nga filmat më të mirë të të gjitha kohërave.
“E shkuara është një histori që i themi vetes”
Për ju që nuk e keni parë ndonjëherë “Her” tregon historinë e Theodore Twombly, i cili jeton në Los Angelesin e të ardhmes së afërt, po kalon një divorc të vështirë, i përhumbur në ndjesitë e veta. Është e lehtë ta gjesh veten të pasqyruar në dhimbjen e tij, sepse kush prej jush nuk ka humbur ndonjëherë një dashuri?! Puna e tij e përditshme është të shkruajë letra personale për njerëzit në një kohë ku njerëzit raportin më të rëndësishëm e kanë me telefonin. Pasi ble një sistem operativ me një asistente virtuale – Samantën – dalëngadalë marrëdhënia e tyre do të shndërrohet në një raport dashurie e varësie. Protagonisti, Joaquin Phoenix dhe Johansson së cilës i dëgjojmë vetëm zërin bëjnë një punë të shkëlqyer për ta bërë filmin ekstremisht të vështirë emocionalisht, të parehatshëm për ta parë, por mbi të gjitha shumë të ndjerë, ndjesi në të cilat e ke të pamundur mos ta gjesh veten dhe të bëhesh njësh me përjetimet e të dyve. Kjo është një histori iluzioni, iluzioni për pasionin dhe dashurinë, për boshllëkun që krijon humbja e këtyre dhe mënyrës si dorëzohemi pas çdo diçkaje, sado iracionale të duket, kur jemi të humbur prej vuajtjes. Rreziku prej zhvillimeve teknologjike edhe pse nuk bërtitet asnjëherë gjatë filmit, është tërë kohës eminent. Po aq sa nevoja e ne njerzve për ngrohtësinë njerëzore e cila, siç pasqyrohet kaq sinqerisht në film, është patjetërsueshme. Eksplorimi i emocioneve në film edhe pse i çuditshëm është i bukur.
Jonze mbase pa vetdije ka realizuar një prolog të asaj që mund të jetë fundi i shoqërisë moderne siç e njohim, një fund që është ngaherë e më i prekshëm, pasi tashme kemi rënë në kurthin e teknologjisë. Por si ai, dhe fundi ‘i lumtur’ i filmit të tij, do duhet të besojmë tek vetja dhe tek njëri tjetri që në fund do dimë të bëjmë zgjedhjen e duhur. Në çdo rast, shpresa, vdes e fundit.