Bota

Helmim masiv nga ushqimi në restorantet McDonald’s në SHBA, një i vdekur dhe 50 të tjerë të helmuar!

Të paktën një person ka vdekur dhe rreth 50 janë helmuar me Escherichia coli në restorantet e McDonald’s në 10 shtete të SHBA-së, njoftoi Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Një fëmijë me sindromën uremike hemolitike, një komplikacion i rëndë mjekësor që mund të zhvillohet nga një infeksion me bakterin Escherichia coli, është në mesin e dhjetë personave që u mbajtën për trajtim në spital. Shumica e të helmuarve janë në Kolorado dhe Nebraska. Hetimi për rastin është në vijim, ndërsa të dhënat paraprake tregojnë se burimi i helmimit ka qenë qepa e prerë në feta që e përdorën për hamburger.

McDonald’s ka ndaluar përdorimin e qepëve si dhe shitjen e hamburgerëve në disa shtete, ndërkohë që hetimi vazhdon. Në një deklaratë, McDonald’s deklaroi se rezultatet e hetimit për shkakun e helmimit tregojnë se shkak ishin qepët që ishin blerë nga një prodhues që furnizonte tre qendra shpërndarjeje. Rikujtojmë, se rrjeti amerikan i ushqimit të shpejtë McDonald’s ka humbur të drejtën e përdorimit të emrit “Big Mac” për produktet e tij të pulave.

Gjykata e Përgjithshme e BE-së me qendër në Luksemburg njoftoi së fundmi se e kishte ndaluar kompaninë të përdorte emrin popullor për burgerët e saj të pulave, sepse McDonald’s nuk kishte siguruar prova se kishte përdorur emrin për pesë vjet radhazi. Vendimi është marrë pas një mosmarrëveshjeje shumëvjeçare me kompaninë irlandeze “Supermac”, e iniciuar në vitin 2017, në lidhje me përdorimin e emrit që McDonald’s mbronte në vitin 1996 për produktet e mishit, përfshirë pulën. Më parë, Zyra e Bashkimit Evropian për Pronësinë Intelektuale hodhi poshtë kërkesën e Supermac, duke deklaruar se McDonald’s ka të drejtë të përdorë emrin Big Mac për hamburgerët e tij, duke përfshirë ato të bëra me pulë, kështu që kompania irlandeze ngriti një padi.