Aktualitet

Hasani në OKB/Siglim marrëveshjesh për liberalizimin reciprok të vizave!

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ku pritet që të firmosë disa marrëveshje në lidhje me liberalizimin reciprok të vizave. Sipas njoftimit të Tiranës zyrtare, kjo është në funksion të forcimit të pasaportës shqiptare në botë, një prej angazhimeve kryesore të kryediplomatit gjatë mandatit të tij. Deri në fund të këtij muaji, në Nju Jork zhvillon punimet Java e Nivelit të Lartë e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Gjithashtu, ministri do të ketë takime dypalëshe me homologët e disa vendeve si Azerbajxhan, Bullgari, Egjipt, Gjeorgji, Kazakistan, Maltë, Marok, Mongoli, Turkmenistan, Qipro, etj.

Përmes Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Shqipëria do të organizojë dhe gjithashtu do të drejtojë disa takime, në cilësinë e anëtares së OKB-së, por edhe të kryesueses së nismave rajonale si: Karta e Adriatikut, Nisma e Evropës Qendrore e Procesi i Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Juglindore.

Java e nivelit të lartë nisi dje me takimin “Beijing+30: drejt një bote me barazi gjinore”, të mbajtur në Nju Jork e ku ministri i Jashtëm, Igli Hasani nënvizoi politikat e qeverisë shqiptare që nxisin angazhimin kuptimplotë të grave në jetën publike. Lidhur me këtë, kryediplomati u shpreh:

Le të ndërtojmë një të ardhme ku gratë dhe vajzat fuqizohen, për të përmbushur potencialin e tyre e për të kontribuar në mënyrë domethënëse në përmirësimin e shoqërisë. Së bashku, ne mund të krijojmë një botë më të drejtë, më të barabartë e gjithëpërfshirëse për të gjithë.

Gjatë sesionit të 79-të të Asamblesë të Përgjithshme të OKB-së, prioritetet e vendit tonë do të jenë në përputhje me kontributin e dhënë gjatë periudhës së anëtarësimit në Këshillin e Sigurimit në vitet (2022-2023) dhe përfshijnë promovimin e multilateralizmit, mbështetjen për “Axhendën 2030” e gjithashtu Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, OKB.