Celebrities Film & Tv Gossip Showbiz

Harrison Ford zbulon arsyen se përse akoma nuk dëshiron të largohet nga aktrimi!

Legjenda e filmit, Harrison Ford, zbuloi së fundmi në një intervistë për Vanity Fair se nuk mendon të dalë në pension. Aktori 84-vjeçar, i njohur për rolet e tij në filmat e “Indiana Jones”, Han Solo në “Star Wars” dhe Rick Deckhard në filmin “Blade Runner”, shpjegoi se çfarë e motivon atë të qëndrojë në botën e filmit.

“Unë marrë kontaktin njerëzor që kam nevojë përmes aktrimit. Është kënaqësi të punosh me njerëz që kanë shumë aftësi dhe përvojë”-shpjegoi aktori, i cili ka pesë fëmijë dhe është i martuar me Calista Flockhart.

Ford filloi karrierën e aktrimit në 1963 dhe aktualisht luan në serialin komedi “Shrinking” së bashku me Jason Segel dhe Jessica Williams. Edhe pse Ford luan rrallë në projekte komedi, veçanërisht në seriale televizive, ai e pranoi rolin në serial. “Gjithmonë më ka pëlqyer humori. Më pëlqen të bëj shaka. Kur mendova të bëhesha aktor, isha ambicioz për të dyja llojet e punës, drama serioze dhe komedi. E gjeta veten duke i bërë të dyja dhe duke mos bërë shumë dallime mes tyre. Si aktor i afrohem një shakaje si dhe një skene serioze apo emocionale”-tha ai tutje.

Ford, gjatë një interviste në emisionin Jimmy Kimmel Live, tregoi se dikur kishte punuar si kuzhinier. Ai shpjegoi se kishte punuar në një kuzhinë profesionale për një periudhë relativisht të shkurtër, derisa e pushuan nga puna. Në një anekdotë që ndau me prezantuesin Kimmel, ai zbuloi se çfarë e çoi deri te largimi nga puna.

“Punësimi im i parë ishte si kuzhinier në një spital. Nuk e di çfarë u thashë, por më dhanë një thikë dhe një grumbull karotash, dhe shumë shpejt më pas, preva një pjesë të gishtit tim. Fatmirësisht, repartin e qepjes së gishtave e kishin më poshtë në korridor dhe menjëherë pas kësaj, më pushuan sepse kisha gënjyer që dija të gatuaja”.