Bota

Harris-Trump intensifikojnë fushatat para presidencialeve të 5 nëntorit!

Zgjedhjet për Shtëpinë e Bardhë, Kamala Harris dhe Donald Trump intensifikojnë fushatat. Ajo e demokrates Harris ka hasur vështirësi që të shtojë mbështetjen mes votuesve meshkuj ndërsa komentet e republikanit Trump për gratë kanë rritur hendekun e përkrahjes për të. Ndalesat më të fundit të Harris-it ishin Las Vegas dhe Reno-ja e Nevadës, shtet fushëbetejë.

Harris u shpreh se komenti i kundërshtarit të saj se do t’i mbrojë gratë, pavarësisht nëse do t’u “pëlqejë apo jo”, tregon se kandidati republikan për president nuk i kupton të drejtat e grave “për të marrë vendime për jetën, përfshirë trupin e tyre”.

Unë mendoj se është fyese për të gjithë, meqë ra fjala. Ai nuk e respekton lirinë apo mençurinë e grave për të vendosur për gjërat që u interesojnë atyre dhe për të marrë vendime në përputhje me rrethanat. Ne kemi besim tek gratë.

Kandidati republikan për president, në përgjithësi flet për mbrojtjen e grave nga kriminelët, terroristët dhe elementët e huaj, çka përputhet me tablonë e zymtë të një vendi në rënie, siç dhe e cilëson Amerikën.

Unë do t’i mbroj nga emigrantët që vijnë. Unë do t’i mbroj nga vendet e huaja që duan të na godasin me raketa dhe shumë gjëra të tjera.

Fushata e republikanit Trump shprehet optimiste, pjesërisht bazuar te pjesëmarrja në votimet e hershme. Drejtuesit e saj thonë se ka gjasa që Trump të fitojë në Nju Meksiko e Virxhinia. Hera e fundit që këto shtete votuan për një republikan për Shtëpinë e Bardhë ishte 2004-ta, për George W.Bush-in. Kandidatët zhvilluan tubime në shtetet fushëbetejë, me 21 në Pensilvani, 17 në Miçigan e 13 në Karolinën e Veriut.

Donald Trump, ngriti padi ndaj kanalit televiziv CBS News, lidhur me një intervistë të rivales demokrate, të transmetuar në emisionin “60 Minutes” në fillim të tetorit, për të cilën pretendon se ishte manipuluar, sipas dokumenteve të depozituara në gjykatë.

Rrjeti CBS transmetoi dy përgjigje të ndryshme nga kandidatja Harris për një pyetje në lidhje me luftën e Izraelit kundër Hamasit në Gaza.

“Pretendimet e përsëritura nga ish-presidenti Trump janë të rreme”, tha një zëdhënës i rrjetit CBS.

Padia e ngritur nga Trump kundër rrjetit CBS është krejtësisht e pabazë dhe do të mbrohemi fuqishëm kundër saj.

Demokratja Harris e republikani Trump janë në një garë shumë të ngushtë ndërsa në ditët e fundit po përpiqen t’i bëjnë për vete ata që ende mund të jenë të pavendosur e për të mobilizuar pjesëmarrjen në votime të bazës së tyre.