Lajmet e fundit Politikë

Hapja e Urës së Madhe në Kukës, Rama kthen në batutë urimin e qytetarit: Për mosplakje kemi vetëm Pandin

Është shoqëruar me batuta takimi i kryeministrit Edi Rama me banorët e Kukësit, pas hapjes së Urës së Madhe të Kukësit.

Një nga banorët i uroi kreut të qeverisë “mos u plaksh kurrë”. Këtë urim Rama e ktheu në batutë duke thënë “për mosplakje kemi vetëm Pandin”.

Në hapjen e urës ishin zv.Kryeministrja dhe njëherazi Ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku dhe Pandeli Majko.

Pjesë nga takimi:

Majko: Është ngjarje shumë e madhe

Qytetari: Mos u plaksh kurrë.

Rama: Jo mor burrë jo, për mosplakje kemi vetëm Pandin. Ne të tjerët ndryshojmë. Është plakur që i vogël ky edhe tani..

Majko: Ura është simboli i Kukësit.

Ura e madhe e Kukësit është hapur këtë të hënë për qytetarët.  E projektuar nga arkitekti italian Giorgio Rizzo,  Ura e Re i jep zgjidhje një nyjeje të vjetër lidhëse të dy anëve të liqenit me rrugën kombëtare, duke zëvendësuar urën e vjetër ekzistuese dhe lehtësuar qarkullimin në këtë zonë.

Kryeministri Edi Rama së bashku me Zëvendësministren Belinda Balluku ishte sot në përurimin e Urës së re dhe hapjen e trafikut për këtë zonë.

“Tani është shumë e rëndësishme që ura hapet edhe hapet për të gjithë, edhe për ata që ç’nuk thanë për urën, deri tek lajmi nga penxherja që iu këputën këmbët urës, s’ka këmbe, e ka trupin të shtirë përgjatë një hapësire drite që është nga më të mëdhatë, hapësira drite të një ure në Europë. Falë dhe talentit dhe nuk diskutohet eksperiencës së projektuesit italian, por falë dhe punës së bërë nga kompania.

Dhe ndërkohë pasi ura mbaroi duheshin plotësuar dhe kushtet për dy a tre komunitete  të tjera rreth kësaj zone, të cilave u duhej dhënë akses në mënyrë që të garantohej lehtësia e transportit për ta. Kështu që sot jemi ne ditën e bukur me diell të hapjes së urës.

Gjëja që duhet kuptuar, vetëm se kush s’do ta kuptojë s’ka për ta kuptuar, është ekzakt kjo, që nga pikëpamja e trasesë rruga ishte hapur me këto ngërçet e tmerrshme këtu në hyrje te qytetit të Kukësit dhe në zonën ku u ndërtuan ato urat e tjera, por nga pikëpamja e volumeve dhe e garancive e standardeve ishte bërë vetëm gjysma e volumit të punës.”

Top Channel