Aktualitet

Hapet Xhamia e Namazgjasë, Rama falënderon Erdoganin!

Është hapur sot Xhamia e Namazgjasë, më e madhja në Tiranë dhe në të gjithë rajonin, në një ceremoni me pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama dhe presidentit turk Rexhep Taip Erdogan

Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama falënderoi Turqinë për këtë investim dhe vlerësoi marrëdhëniet e mira Turqi-Shqipëri.

“Ja ku erdhi dita e çeljes së këtij tempulli të adhurimit të krijuesit të botëve, kaq i shumëpritur nga një komunitet për shumë kohë, për shumë arsye. Profeti ka thënë për ne: Unë jam lutja e Ibrahimit, sihariqi i saj, dhe ëndrra e nënës sime”, tha Edi Rama.

Nga ana tjetër, Erdogan vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve ndër vite dhe gjatë fatkeqësive të tërmetit, duke thënë se është një shembull për mbarë botën.

Erdogan nuk e la këtë mundësi pa sulmuar rivalët e tij gylenistë, duke thënë se “nuk u duhet lënë fushëbeteja e zbrazët” për ata që e përdorin besimin për përfitime personale.

I ashpër gjatë fjalës së tij, Erdogan ishte edhe me Izraelin, dhe sulmet e saj në rajon ndaj palestinezëve dhe Libanit.

“Personalisht jam shumë me fat sot që ndodhem në këtë ambient shumë të shenjt, dhe i lutem Allahut që xhamia e Namazgjasë, më e madhja në Ballkan të sjellë dobi për të gjithë shqiptarët dhe myslimanët në Ballkan. Dëshiroj të shpreh konsideratën, mirënjohjen time, veçanërisht për mikun tim zotin Edi Rama. Siç e shikoni, arkitektura osmane e cila dominon në Ballkan serviret shumë bukur në këtë xhami. Në nuk duhet të shkëputemi kurrë nga feja islame, feja e paqes, dhe nuk duhet t’ua lëmë vendin bosh të gjthë atyre që shohin interesa personale. Kjo është detyra e çdo myslimani që ka vetëdije dhe ndërgjegje të pastër.

Janë vrarë mijëra palestinezë, kanë rënë shehidë, Izraeli ka bombarduar xhamia, kisha, pazare dhe tashmë sulmi barbar i izraelit është zhvendosur në Liban. Qeveria e Izraelit dhe Netanyahut kanë treguar se nuk kanë ndërmend të vendosin paqen në rajon. Së fundmi e tregoi edhe me sulmin ndaj Libanit”, deklaroi Erdogan.