Hapet një shkollë e re shqiptare në Bexleyheath të kryeqytetit britanik Londër. Mbi 7 mijë nxënës mësojnë shqipen në shumë qytete të Britanisë së Madhe, çka konsiderohet hap i rëndësishëm për ruajtjen dhe përhapjen e gjuhës e kulturës shqiptare për brezat e ardhshëm. I pranishëm, ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëherazi drejtues politik për Diasporën i Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh se “synimi i qeverisë shqiptare është zgjerimi i rrjetit të shkollave dhe klasave shqipe në diasporë”.
Ne jemi një komb që kemi luftuar shumë për të mësuar e për të shkruar në gjuhën tonë amëtare. Kemi luftuar në shekuj për të pasur gjuhën tonë sepse historia nuk ka qenë shumë e dashur me ne, na është dashur të luftojmë për indentitetin tonë kombëtar. Na është dashur të luftojmë për shkronjat shqipe dhe prej më shumë se një shekulli, ne jo vetëm që kemi shtetin tonë por kemi dhe Alfabetin tonë, falë Kongresit të Manastirit.
Gjëja e parë që bëmë ishte unifikimi i Abetares mes Shqipërisë dhe Kosovës. Tanimë, Gjuha Shqipe ka vetëm një Abetare të vetën e ky është një hap i rëndësishëm. Po ashtu, më së miri kemi filluar të shpërndajmë tekstet e Gjuhës Shqipe. Janë mbi rreth pesë mijë tekste që tanimë kanë mbërritur në Britaninë e Madhe, kryesisht në Londër është numri më i madh i tyre.
Balla informoi se në mbledhjen e radhës së qeverisë do të miratohet nisja e programit “Mësues për Diasporën”.
Do të fillojmë me Greqinë, ku nga buxheti i qeverisë shqiptare, ne do të paguajmë mësuesit që japin Gjuhën Shqipe në klasat që zhvillohen pothuajse në të gjithë territorin e Greqisë. Dua t’ju garantoj sot këtu që shumë shpejt do të kemi dhe mësues për Britaninë e Madhe “Teacher for UK” si program i qeverisë shqiptare. Në këtë aspekt, në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës do të fillojmë të integrojmë programin tonë të përbashkët.
Duke folur për votimin e shqiptarëve të Diasporës, tha:
Pranverën e ardhshme edhe ju që jetoni këtu, që keni të drejtë vote në Shqipëri, që keni mbushur 18 vjeç dhe dispononi dokument identifikimi biometrik do të keni mundësi të votoni. Edhe pse jeni larg Shqipërisë, duke votuar nga shtëpia juaj. Kjo do t’i japë Diasporës një peshë shumë më të madhe nga sa ka pasur deri tani.