Aktualitet

Hapet konkursi për drejtimin e Shkollës së Magjistraturës, ja kushtet që duhet të plotësojnë kandidatët!

Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës ka çelur konkursin për Drejtor të Shkollës së Magjistraturës.

Në njoftimin e nxjerrë nga Këshilli Drejtues i Magjistraturës sqarohet se Kandidatët duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme:

Të kenë mbaruar arsimin e lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë; të kenë punuar si gjyqtarë ose prokurorë për jo më pak se 10 vjet ose si juristë për jo më pak se 15 vjet; të kenë jo më pak se 10 vjet mësimdhënie në Shkollën e Magjistraturës nga marrja e gradës shkencore “Doktor” ose jo më pak se 5 vjet mësimdhënie në Shkollën e Magjistraturës nga marrja e titullit shkencor “Profesor”, ose jo më pak se 15 vjet mësimdhënie si pedagogë të brendshëm ose pedagogë të jashtëm në Shkollën e Magjistraturës;

Kandidatët duhet po ashtu të mos jenë të dënuar penalisht me vendim të formës së prerë; të mos kenë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit.

Njoftimi i Magjistraturës: 

Në kushtet e plotësimit në datë 28 korrik 2024, të mandatit të Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, bazuar në nenet 249 dhe 250 të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës të Republikës së Shqipërisë shpall thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit për Drejtor të Shkollës së Magjistraturës.

Kandidatët duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme:

a) të kenë mbaruar arsimin e lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë;

b) të kenë punuar si gjyqtarë ose prokurorë për jo më pak se 10 vjet ose si juristë për jo më pak se 15 vjet;

c) të kenë jo më pak se 10 vjet mësimdhënie në Shkollën e Magjistraturës nga marrja e gradës shkencore “Doktor” ose jo më pak se 5 vjet mësimdhënie në Shkollën e Magjistraturës nga marrja e titullit shkencor “Profesor”, ose jo më pak se 15 vjet mësimdhënie si pedagogë të brendshëm ose pedagogë të jashtëm në Shkollën e Magjistraturës;

ç) të mos jenë të dënuar penalisht me vendim të formës së prerë;

d) të mos kenë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit.

Njoftohen të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të konkurrojnë për funksionin e Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, të cilët plotësojnë kushtet e parashikuara në ligjin nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, që brenda datës 26 korrik 2024, të shprehin interesin e tyre përmes një kërkese me shkrim pranë Shkollës së Magjistraturës.

Krahas kërkesës me shkrim, të interesuarit duhet të bashkëngjisin dokumentet e mëposhtme:

a)      jetëshkrimin e përditësuar;

b)      një platformë personale të qëllimeve dhe objektivave që propozojnë të ndjekin në qoftë se zgjidhen;

c)      çdo dokument që vërteton përmbushjen e kushteve ligjore, të parashikuara në nenin 249 të ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Thirrja shpallet në faqen zyrtare të Shkollës së Magjistraturës dhe në dy gazeta me tirazh të lartë në vend.

Shprehja e interesit dhe dokumentet shoqëruese, duhet të dërgohen në adresën elektronike [email protected], si dhe në adresën, rruga “Ana Komnena”, Poli i Drejtësisë, Tiranë, brenda datës  26 Korrik 2024.