Policia e Shtetit shpall thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit për pozicionin “Shef komisariati” në Drejtoritë Vendore të Policisë. Gara do të jetë e hapur deri më 8 nëntor. Gara është hapur për 48 komisariate.
Sipas njoftimit të Policisë, punonjësit e interesuar që shprehin interesin për të aplikuar për pozicionin “Shef komisariati” dhe plotësojnë kriteret ligjore të përcaktuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 641, datë 16.10.2024 “Për miratimin e rregullores për përzgjedhjen e kandidatit për zëvendësdrejtor të përgjithshëm, drejtor të departamentit, drejtor të drejtorisë vendore dhe shef të komisariatit në Policinë e Shtetit”, duhet të plotësojnë dhe dorëzojnë brenda datës 08.11.2024, ora 14:00, pranë Komisionit të Vlerësimit të Aplikimeve (KVA) në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, dokumentacionin.
Pas përfundimit të aplikimeve, nis faza e radhës, e cila vë në filtër të gjithë emrat, që më pas do të marrin emërimin. Pas përfundimit të afatit 7-ditor për paraqitjen e shprehjes së interesit, KVA-ja publikon në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit emrat e kandidatëve.
Brenda afatit 10 ditor nga momenti i mbylljes së fazës së aplikimeve, KVA-ja kryen vlerësimin paraprak të aplikimeve, me qëllim verifikimin e plotësimit të kushteve ligjore. Nëse është e nevojshme, pa kaluar afatin e parashikuar në këtë pike, KVA-ja kërkon informacione të mëtejshme prej kandidatit, institucioneve publike apo punëdhënësit të kandidatit.
Në përfundim të vlerësimit paraprak, KVA-ja harton listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore dhe të kandidatëve që nuk i plotësojnë këto kushte, bazuar në dokumentacionin e paraqitur nga kandidati dhe dokumentacionin shtesë të mbledhur nga Komisioni.
KVA-ja merr vendim për skualifikimin e kandidatëve që nuk plotësojnë kushtet ligjore dhe i njofton me shkrim kandidatët, në mënyrë të posaçme dhe të arsyetuar për shkaqet e skualifikimit.
KVA-ja organizon intervistën me kandidatët dhe i njofton ata të paktën 48 orë përpara për datën, vendin dhe orën e intervistës. Anëtarët e komisionit i drejtojnë pyetje kandidatit në përputhje me kriteret e vlerësimit, të përcaktuar në VKM-në Nr. 641, datë 16.10.2024 “Për miratimin e rregullores për përzgjedhjen e kandidatit për zëvendësdrejtor të përgjithshëm, drejtor të departamentit, drejtor të drejtorisë vendore dhe shef të komisariatit në Policinë e Shtetit”.
Seanca e intervistës për secilin kandidat mbahet në praninë e të gjithë anëtarëve të komisionit. Intervista do të fokusohet në fushat e vlerësimit të kandidatit
KVA-ja vlerëson dokumentacionin e dorëzuar nga kandidati, të mbledhur nga KVA-ja dhe informacionin e dhënë gjatë intervistës për të përfunduar vlerësimin. Secili nga anëtarët e KVA-së bën vlerësimin e kandidatëve me pikë, sipas rubrikave të përcaktuara në formularin e vlerësimit.
Çdo kandidat ka të drejtën e ankimit pranë Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave për shkeljet procedurale të pretenduara, brenda 2 ditëve nga shpallja e rezultateve paraprake.
Shprehja e interesit dhe të gjitha dokumentet e kërkuara duhet të dorëzohen fizikisht pranë sekretarisë teknike të KVA-së, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Bulevardi Bajram Curri, Tiranë, sipas formularit model tip të dorëzimit të dokumenteve.