Aktualitet

Hapen aplikimet në e-Albania për menaxhimin e stacioneve të plazhit!

Në platformën e-Albania është hapur aplikimi për menaxhimin e stacioneve të plazhit për vitin 2025, duke vijuar kështu traditën e mirë të përgatitjeve të hershme për sezonin veror. Ndërsa ndau në rrjetet sociale këtë informacion, kryeministri Edi Rama u shpreh se aplikimi do të kryhet sipas kritereve të reja ligjore ku plazhet do të mund të merren nën administrim të përkohshëm vetëm nga hotelet e vijës së parë ose në afërsi.

Kjo, sipas tij, do të sjellë dyfishimin e hapësirave publike si edhe shpërndarjen e tyre gjatë gjithë bregdetit.

Rama bëri të ditur se sistemi do të qëndrojë i aksesueshëm për 30 ditë për të garantuar një proces të barabartë dhe transparent për të gjithë. Procesi i aplikimit do të kryhet në përputhje me rregulloren e re “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë si stacion plazhi”.

Të gjitha subjektet e interesuara mund të kryejnë aplikimin e tyre në portalin e-Albania duke kërkuar shërbimin “Aplikim për ushtrimin e veprimtarisë së stacion plazhi”.

Hartat e plazheve u miratuan në fillim të muajit nëntor gjatë mbledhjes së Komitetit të Menaxhimit të Sezonit Turistik, ndërsa me rregulloren e re lirohen rreth 675 parcela plazhesh.