Bota

Hamasit iu vra lideri Sinwar, Irani: Grupi do të mbijetojë!

Sot në një deklaratë, lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei tha se Hamasi do të “mbetet i gjallë” edhe pse pak ditë më parë Izraeli i vrau liderin Yahya Sinwar.

Padyshim që humbja e Sinwarit është e dhimbshme për Boshtin e Rezistencës.

Me “bosht rezistence” kleriku i lartë iranian iu referua rrjetit të disa grupeve të mbështetura nga Republika Islamike në Lindjen e Mesme, ndër to edhe Hamasi, grupi radikal palestinez i shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Khamenei shtoi:

Por, ky front nuk do të ndalojë së përparuari me figura të rëndësishme martirizimi.

I cilësuar si “arkitekti” i sulmit të 7 tetorit të vitit të kaluar e që nxiti luftën në Gaza mes Izraelit dhe Hamasit, Sinwar u vra në jug të Gazës nga një sulm izraelit, më 16 tetor. Vdekja e tij u konfirmua një ditë më vonë nga një zyrtar i lartë politik i Hamasit.

Ndërkaq, gjendja në Gaza vazhdon e rëndë. 21 persona, përfshirë dhe fëmijë u vranë sot nga bombardimet izraelite siç raportuan zyrtarë shëndetësorë palestinezë. Të paktën 10 prej tyre gjetën vdekjen në pjesën qendrore të Gazës kur një shtëpi u godit në qytetin Zawayda, referuar burimeve të spitalit Al-Aksa, aty ku u dërguan viktimat.

Një tjetër sulm vrau 11 vetë, të gjithë pjesëtarë nga e njëjta familje e që strehoheshin në kampin e refugjatëve Maghazi, sipas njoftimeve nga burime spitalore.

Më herët, qeveria izraelite njoftoi se një dron u lëshua drejt shtëpisë së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, në qytetin bregdetar Caesarea, mëngjesin e sotëm. As Netanyahu dhe as gruaja e tij nuk ishin në shtëpi në atë kohë. Nuk u raportua për viktima apo të lënduar. Ky sulm me dron ndodhi ndërsa binin sirenat e alarmit në Izrael, duke paralajmëruar banorët e shtetit hebraik për goditje nga territori i Libanit, që strehon militantët e grupit pro-iranian Hezbollah.

Netanyahu urdhëroi rritje të konsiderueshme të dërgesave për popullatën e vuajtur palestineze në Rripin e Gazës.  250 kamionë në ditë do të çojnë mallra të natyrës humanitare në zonën ku lufta po vazhdon prej më shumë se një viti. Duket se vendimi izraelit u nxit nga presioni amerikan.

Fondi i OKB-së për Fëmijët, UNICEF raporton se një në pesë fëmijë, tashmë vuan pasojat e kequshqyerjes. Sipas shifrave të OKB-së, rreth 500 kamionë në ditë dërgonin mallra dhe ndihma në Rripin e Gazës përpara fillimit të luftës, në tetor të vitit të kaluar.