Bota

Hamasi i përgjigjet planit për armëpushim në Gaza, kërkon ndryshime!

Hamasi palestinez njoftoi se te ndërmjetësit dorëzoi përgjigjen për propozimin amerikan lidhur me armëpushimin në Rripin e Gazës, duke kërkuar disa ndryshime në marrëveshje. Duket se Hamasi nuk e pranoi menjëherë akordin, megjithë përpjekjet e Shteteve të Bashkuara. Por, i mbajti gjallë bisedimet lidhur me arritjen e një marrëveshjeje të vështirë, për t’i dhënë fund luftës që ka hyrë në muajin e tetë në Gaza.

Ministrat e Jashtëm të Katarit dhe Egjiptit, të cilët janë ndërmjetësit kryesorë së bashku me SHBA-të,  konfirmuan se e kanë marrë përgjigjen e Hamasit dhe thanë se janë duke e vlerësuar.

Ne e kemi pranuar përgjigjen që Hamasi i dorëzoi Katarit dhe Egjiptit, si dhe po e shqyrtomë tani, – tha zëdhënësi për Sigurinë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

Zëdhënësi i Hamasit, Jihad Taha u shpreh se përgjigja përfshin “ndryshime të cilat konfirmojnë armëpushimin, tërheqjen, rindërtimin dhe shkëmbimin e të burgosurve”. Ai nuk dha shpjegime.

Por, teksa e mbështesin marrëveshjen në vija të trasha, zyrtarët e Hamasit kanë shprehur dyshime nëse Izraeli do t’i zbatojë kushtet e saj, sidomos ndalimin e përhershëm të luftimeve dhe tërheqjen e plotë të ushtrisë izraelite nga Gaza, në këmbim të lirimit të të gjithë pengjeve që po mbahen nga militantët.

Edhe pasi Amerika tha se Izraeli e ka pranuar propozimin, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu po jep shenja të ndryshme, duke theksuar se Izraeli nuk do të ndalet derisa të arrijë synimin për eliminimin e Hamasit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken vizitoi rajonin këtë javë, në përpjekje për ta siguruar arritjen e marrëveshjes. Kjo është vizita e tij e tetë që kur Hamasi sulmoi jugun e Izraelit dhe nxiti luftën izraelite në Gaza. Edhe dje vazhdoi presionin ndaj Hamasit për të pranuar propozimin, duke thënë se vota e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në favor të tij e bëri të “qartë sa më s’ka” se bota e mbështet planin.

Të gjitha votat janë pro, përveç njërës, asaj të Hamasit. Netanyahu e ka ritheksuar përkushtimin ndaj propozimit gjatë një takimi të hënën në mbrëmje.

Propozimi ka rritur shpresat për t’i dhënë fund luftës tetëmujore, gjatë të cilës bombardimet dhe ofensiva tokësore e Izraelit në Gaza kanë vrarë mbi 37.000 palestinezë dhe kanë detyruar rreth 80% të popullsisë prej 2.3 milion banorësh të largohen nga shtëpitë e tyre.

Izraeli e nisi luftën duke u zotuar për ta shkatërruar Hamasin, pasi grupi radikal palestinez vrau rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, si dhe rrëmbeu mbi 250 të tjerë gjatë sulmit të 7 tetorit në jug të Izraelit. Më shumë se 100 pengje u liruan gjatë një armëpushimi njëjavor në nëntor, në këmbim të lirimit të palestinezëve të burgosur nga Izraeli.