Celebrities

Halsey flet për luftën e saj me lupusin! “Nuk mund të shihja veten në pasqyrë…”

Artistja amerikane Halsey ka ndarë përvoja të thella dhe personale rreth luftës së saj me sëmundjen autoimune lupus sistemik eritematoz, duke zbuluar se në periudha të vështira, ajo evitonte të shikonte veten në pasqyrë. Në një intervistë për Page Six, Halsey tregoi se ndjehej e shëmtuar dhe e panjohur për veten gjatë kësaj periudhe të sëmundjes, duke u ndjerë të detyruar të shmangte pasqyrat për muaj të tërë për shkak të ndryshimeve të dukshme në pamjen e saj.

Ndjeja një ndjesi shumë të keqe gjatë gjithë kohës që isha e sëmurë. Nuk mund të njihja vetveten dhe nuk mund të shihja në pasqyrë, përveç kur vija lentet e kontaktit. Ishte e tmerrshme

Për të përballuar këtë sfidë dhe për të ndihmuar në rehabilitimin e aftësive motorike të dëmtuara nga sëmundja, Halsey zbuloi se kishte gjetur ngushëllim në krijimin e shtëpizave për kukulla ndërsa djali i saj Ender flinte. Ky hobi jo vetëm që i ndihmoi të zhvillonte aftësitë e saj motorike, por gjithashtu i dha një ndjenjë të re qëndrueshmërie dhe kontrolli.

Gjatë sëmundjes nuk mund të hapja as një zarf apo të hiqja një ngjitës. Krijimi i shtëpizave të vogla kërkonte fokus dhe saktësi

Ajo u angazhua aq shumë në këtë aktivitet sa filloi të krijonte edhe mobilje dhe tapeta për shtëpizat e saj, një mënyrë për të ndërtuar “botë të vogla paralele” për të shmangur realitetin e vështirë të përballjes me sëmundjen.

Halsey ka reflektuar për këto përvoja edhe në këngët e saj të fundit, “The End” dhe “Lucky”, dhe po përgatitet për lançimin e albumit të saj të ri, “The Great Impersonator”, më 25 tetor.